Kurti: Ne nuk besojmë në nismën “Ballkani i Hapur”

Tiranë, 14 shtator 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të martën se Kosova nuk do të bëhet pjesë e nismës “Ballkani i Hapur”. Ai ka thënë se Kosova nuk beson në nisma jashtë Bashkimit Evropian.

“Ne nuk besojmë që iniciativat rajonale duhet të bëhen pa Bashkimin Evropian brenda. Dallimi mes Procesit të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur është që në të dytën nuk e kemi Bashkimin Evropian”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se kjo nismë nuk është në interes të Kosovës.

“Qeveria e Kosovës është qeveri e një shteti sovran. Ne e përfaqësojmë popullin e Kosovës pas zgjedhjeve që i kemi fituar masivisht, si asnjëherë më parë, dhe çfarëdo bashkëpunimi që zhvillohet, zhvillohet në përputhje me interesat tona. Ne nuk e konsiderojmë interes të Kosovës të bëhemi pjesë e një nisme me Serbinë që mohon krimet e luftës dhe nuk e njeh pavarësinë”, ka thënë Kurti në Tiranë, të martën, pas takimit dypalësh me Kancdelaren gjermane, Angela Merkel.

Kryeministri Kurti ka thënë se Procesi i Berlinit është kornizë e mjaftueshme për integrimin e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, prandaj nuk ka nevojë për nisma të tjera alternative.

““Kancelarja gjermane tha që Procesi i Berlinit është korniza edhe rruga për integrimin e 6 vendeve të rajonit në BE. Procesi i Berlinit është mjaftueshëm i gjerë, që të mos ketë variante të tjera”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se në takim me zonjën Merkel ka thënë se mbështetja evropiane duhet të jetë e barasvlershme me nivelin e arritjes së standardeve evropiane në vendet e rajonit.

“Theksova që nuk duhet të ketë fonde evropiane pa vlera evropiane. Theksova që janë 4 elemente te domosdoshme që të ketë paqe të qëndrueshme, stabilitet afatgjatë, në rrugëtimin evropian, dhe janë sundimi i ligjit që vepron kundër korrupsionit dhe oligarkëve, e dyta demokratizimi, që vepron kundër autokratëve, e treta është ballafaqimi me të kaluarën që nuk lejon në liri të ketë kriminel të luftës dhe aq më pak në pushtet, dhe e katërta është reciprociteti i të drejtave të pakicave në kundërshtim me hegjemonitë nacionaliste në Ballkan”, ka thënë ai.

Kurti është pyetur edhe lidhur me deklaratën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se Kosova është kundër nismës “Ballkani i Hapur” sepse beson në teori të konspiracionit.

“Unë nuk e di për çfarë teorie konspiracioni flitet. A e keni pyetur për çfarë teorie konsipracioni flet ai?!”, ka pyetur Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka folur edhe për marrëdhëniet me Serbinë. Ai ka theksuar se dialogu me Serbinë nuk ka të bëjë asgjë me statusin e Kosovës,por me marrëdhëniet me Serbinë si dy shtete fqinje.

“Statusi i Kosovës nuk është i diskutueshëm, e theksova që Kosova nuk mund të kthehet para vitit 2008 kur e ka shpallur pavarësinë. Ne jemi për marrëdhënie të mira rajonale dhe fqinjësore por nuk mund ta kompesojmë as me shtetësi as me territor Serbinë për humbjet si shtet që ia ka shkaktuar regjimi i Millosheviçit  (Sllobodan Millosheviqit), këtu e dy dekada më parë”, ka shtuar Kurti.

Ai ka theksuar se për marrëdhënie më të mira fqinjësore nuk duhet të ndryshojë Kosova, por duhet të ndryshojë Serbia, dhe faktori ndërkombëtar duhet të ushtrojë presion ndaj Serbisë.

Kurti ka theksuar se Serbia duhet ta ndryshojë Kushtetutën, duke e hequr Kosovën nga preambular e saj, dhe jo Kosova.

“Paqe të qëndrueshme në Ballkan ka kur Serbia ta ndryshojë Kushtetutën dhe të heqë dorë nga Kosova, jo kur ndryshohet Kosova”, është shprehur ai.

Kurti ka thënë se Serbia është ajo që e pengon qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave dhe nuk i zbaton marrëveshjet teknike të nënshkruara në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ai ka thënë se të gjitha vendet e Bashkimit Evropian janë njoftuar për 11 barriera që ka vendosur Serbia për Kosovën dhe ka paralajmëruar edhe vendosjen e reciprocitetit me Serbinë.

“Reciprociteti do të vendoset, pasi nuk ka barazi pa reciprocitet”, ka deklaruar Kurti.

(r.m.)