Kurti në varrimin e 18-vjeçares në Ferizaj

Kryeministri Albin Kurti merr pjesë në varrimin e 18-vjeçares, Marigona Osmani, e cila u vra në Ferizaj.

Po ashtu bashkë me të është edhe ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu.

Dardan Krivaqa është i dyshuari kryesor për vrasjen e 18-vjeçares, M.O, që të dielën është dërguar pa shenja jete në emergjencën e Ferizajt.RTK

Fjala e kryeministrit Albin Kurti:

 
 

E nderuara familje Osmani,
Të nderuar familjarë, shoqe e shokë të Marigonës,
Të nderuar imam dhe ju klerikë të tjerë fetarë,
Motra dhe vëllezër, zonja dhe zotërinj,

Sot të gjithë ne kemi shumë pikëllim, sot të gjithë ne kemi shumë zemërim. Jeta e një vajze të re 18-vjeçare është këputur nga një vrasje mizore. Para një ore e gjysmë i dyshuari për vrasjen që e tronditi mbarë Kosovën është arrestuar dhe tash duhet të ketë gjykim të drejtë e dënim të merituar.

Bëhet fjalë për një të dyshuar i cili ka precedent penal edhe prej viteve të mëhershme në vepra të shumta që kanë qenë shkelje të ndryshme të ligjit. Kjo tregon se sa shumë punë kemi përpara që ta drejtojmë sistemin e drejtësisë, në mënyrë që të veprojë pa vonesa, të gjykojë drejt, dhe të ndëshkojë kriminelët e keqbërësit në përgjithësi.

Qeveria jonë prej fillimit ka ndërmarrë iniciativën për infrastrukturë të re ligjore, në mënyrë që kurrë më të mos na përsëriten këto raste, kemi bërë gati ligjin e ri për mbrojtje të viktimave dhe të mbrojtjes nga dhuna në familje si dhe strategjinë e re kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje.

Në gjashtë muajt e parë të këtij viti 1063 gra e vajza kanë lajmëruar për dhunë në familje. Kjo tregon se është rritur besimi në institucione, por njëkohësisht që edhe përgjegjësia jonë si institucione duhet të jetë më e lartë se asnjëherë më parë.

Unë e di që të gjithë ju e keni mërzinë, dhembjen e pikëllimin të pashmangshëm, mirëpo njëkohësisht të pikëlluar e duke u mërzitur nuk do të mundemi asnjëri prej nesh ta kthejmë kohën mbrapsht e ta ngjallim Marigonën.

Duhet t’i mbani kujtimet më të mira, që me siguri i keni të panumërta dhe të angazhohemi bashkë familja, shoqëria, dhe institucionet e shtetit që raste si vrasja mizore e Marigona Osmanit të mos e godasin më kurrë popullin tonë e familjen tuaj.

Ngushëllime jo vetëm familjes Osmani, por ngushëllime dhe Ferizajt e të gjithë popullit tonë. U prehtë e qetë Marigona, e për t’u prehur me të vërtetë e qetë duhet të sjellim drejtësi për të dhe për të gjitha viktimat e tjera.