Kurti, pas takimit të liderëve të Ballkanit: Serbia të distancohet nga regjimi i Millosheviqit

Tiranë, 10 qershor 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot në Tiranë se Serbia duhet të shkëputet dhe të distancohet nga regjimi i Millosheviqit dhe ta njohë pavarësinë e Kosovës.

“Serbia duhet të shkëputet dhe të distancohet nga regjimi i Millosheviqit, duke qenë se nuk ka zgjidhje tjetër veçse ta njohë pavarësinë e Kosovës”, tha Kurti,  pas takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor.

Ai tha se njohja e pavarësisë së Kosovës i bën mirë edhe Serbisë.

“Pavarësia e Kosovës nuk është e mirë vetëm për Kosovën, por edhe për Serbinë, sepse po e mban peng edhe Serbinë”, theksoi ai.

Kurti tregoi se gjatë punimeve të samitit ka pasur një polemikë mes tij dhe kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, pikërisht për shkak se ka kërkuar që Serbia të distrancohet nga regjimi i Millosheviqit. 

“Ka ekzistuar një lloj polemike për shkak se ajonuk dëshironte të pranonte se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Unë theksova që Serbia do të duhej të shkëputej nga regjimi i Milosheviqit dhe nga trashëgimia e tij”, tha ai.

Kryeministri Kurti foli për iniciativën e “mini-Shengenit”. Ai tha se nismat rajonale ngecin për shkak se Serbia nuk e njeh Kosovën dhe se nisma për treg të përbashkët rajonal është pjesë e Procesit të Berlinit.

“Nuk ka më ‘mini-Shengen’. Ka treg të përbashkët rajonal, që do ta ketë takimin e radhës në gjysmën e parë të korrikut. Ajo nismë tashmë është një çështje që trajtohet nga Procesi i Berlinit, me emër tjetër e koordinata të tjera”, tha Kurti.

Kurti tha se Shqipëria dhe Kosova nuk kanë dallime në politikën e jashtme të përbashkët dhe nuk kanë shumë nevojë për koordinim

“Kosova dhe Shqipëria nuk kanë nevojë për shumë mund që të jenë të koordinuara, pasi nuk i kemi qëndrimet shumë të ndryshme. Shqipëria dhe Kosova nuk kanë dallime përsa i përket politikës së jashtme. Tregu i përbashkët rajonal është tashmë pjesë e procesit të Berlinit. Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë do kenë komunikim të dendur dhe strategji të përbashkët në shumë fusha, jo vetëm atë të politikës së jashtme”, deklaroi Kurti.

(r.m.)