Kurti: Projekti për shkëmbimin e territoreve ka dështuar, por ideja s’ka vdekur

Prishtinë, 7 janar 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se projekti politik për shkëmbimin e territoreve me Serbinë ka dështuar, por ideja ekziston ende.

Ai ka thënë se është i sigurtë se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është nostalgjik për kohën kur flitej për shkëmbim territoresh.

“Jam shumë i sigurt se presidenti i Serbisë është nostalgjik për ato kohë. Që do të thotë se projekti politik i shkëmbimit të territoreve ka dështuar. Por, përsëri, ideja s’ka vdekur. Nostalgjia nuk është një ndjenjë me të cilën mund të kemi progress”, ka thënë Kurti, në një intervistë për Al Jazeera.

Kurti ka theksuar se formula e shkëmbimit të tërritoreve në baza etnike është formulë për luftë.

“Kurrë nuk mund të kesh kufi perfekt etnik. Gjithmonë do të ketë njerëz që do të ndjehen se janë në anën e gabuar (të kufirit)”, ka thënë ai.

Kryeministri i Kosovës ka thënë se marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë normalizohen vetëm me njohjen reciproke.

“Ne kemi nevojë për një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dyshteteve, me njohjen reciproke në qendër”, ka theksuar ai.

Kurti ka thënë se marrëdhëniet aktuale midis Kosovës e Serbisë janë të tensionuara për shkak të dallimeve midis tyre, si shoqëri. 

“Ajo që kemi nevojë është që republikat të kenë marrëdhënie normale. Demokracitë nuk luftojnë me njëra-tjetrën. Tensionet që i kemi me Serbinë janë sepse ne jemi vend demokratik dhe ata janë një regjim autokratik, me lidhje të afërta me Kremlinin”, është shprehur  ai.

Kurti ka folur edhe për krizën e shkaktuar nga vendosja e barrikadave në veri të Kosovës. Ai ka thënë se kriza nuk ka përfunduar ende.

“Kriza nuk ka përfunduar ende, sepse strukturat ilegale serbe janë kthyer në grupe kriminale që i kanë ngritur 16 barrikada, gjatë dhjetorit. Kriza nuk ka përfunduar ende, sepse Kosova dhe Serbia kanë raporte jonormale”, është shprehur ai.

Kurti ka mohuar t’i ketë dhënë garanci Beogradit se nuk do të arrestohen kriminelët që janë në listën e zezë të SHBA-së.

“…Natyrisht, jo. Garancia e vetme që japim ne, si qeveri demokratike, është barazia për të gjithë, kushtetutshmëria në të gjitha komunat e Kosovës, rritja ekonomike dhe mirëqenia sociale…Nuk mund të jap garanci për kriminelët që janë të listat e zeza të SHBA-së…”, ka theksuar ai.

(r.m.)