Kurti: Rritja e çmimit të energjisë elektrike është e pashmangshme

Prishtinë, 19 janar 2022 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ngritja e çmimit të energjisë elektrike është e pashmangshme.

Kurti tha të mërkurën se Kosova po importon energji elektrike me çmime të larta, kurse subvencionimi nga qeveria nuk e përballon koston e importit të energjisë.

“Janë tri mënyra se si mund të bëhet financimi: rritja e tarifave, rritja e subvencionit apo reduktimet e ashpra të energjisë. Ne e pamë se sa të dëmshme janë reduktimet e energjisë, sepse një njërën anë e kemi të amortizuar rrjetin e distribucionit dhe shkaktohen shumë kollaj dëme të kushtueshme dhe gjithashtu prej makinerive të industrive deri te pajisjet shtëpiake krijojnë dëme të mëdha”, tha Kurti, transmeton REL.

Kurti tha se vetëm gjatë ditës së martë, Kosova ka blerë energji elektrike në vlerë prej rreth 2.3 milionë eurosh. Sipas tij, të martën në Kosovës janë  prodhuar 727 megavatë energji elektrike, por janë konsumuar 26,608 megavatë.

“Kosova në tregjet ndërkombëtare zakonisht blen energji me çmim të lartë. Dje një megavat ka kushtuar rreth 250 euro. Këtë diferencë dikush duhet ta paguajë”, tha ai.

Kurti tha se faji për krizën aktuale energjetike është për shkak të mosveprimit të qeverive paraprake. Ai tha se sikur shteti të investonte me kohë në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike dhe në rindërtimin e kapaciteteve aktuale, tani Kosova nuk do të kishte nevojë për të importuar energji.

Kryeministri Kurti dhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, thanë se tarifat e propozuara nga ZRRE-ja nuk vlejnë për bizneset, pasi rritja e çmimit të energjisë për bizneset do të çonte në rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore dhe në rrezikimin e vendeve të punës.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike ka propozuar rritjen e çmimeve të energjisë elektrike për konsumatorët për 9 për qind dhe vendosjen e bllok-tarifave.

Qeveria e Kosovës njoftoi se ka ndarë deri në 75 milionë euro për të subvencionuar konsumatorët që do të shpenzojnë mbi 600 kilovatë për orë.

(r.m.)