Kurti: Serbia e do bosnjëzimin e Kosovës. Nuk do të lejoj të ndodhë kjo

Prishtinë, 2 nëntor 2021 – Kryeministri Albin Kurti, në një intervistë për BBC-në, ka thënë se Serbia synon “bosnjëzimin” e Kosovës, përmes Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kurti ka theksuar se nuk do të lejojë që kjo të ndodhë, qoftë në pushtet apo në opozitë, duke shpjeguar se formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk është kërkesë e serbëve të Kosovës, por është objektiv i Beogradit.

“Asnjë serb kurrë nuk protestoi për shkak se nuk u formua Asociacioni i Komunave Serbe. Gjithmonë ishte Beogradi nervoz. Ata (Udhëheqësit e Serbisë) duan ta përsërisin bosnjëzimin në Kosovë. Ne nuk do ta lejojmë këtë, qofshim në opozitë apo në qeveri. Kjo është arsyeja që jam votuar – të pamundësoj bosnjëzimin e Kosovës. Unë jam i sigurt që ne, me programin tonë, do t’i ndihmojmë serbët po aq sa shqiptarët. Nëse ne i pyesim serbët cilat janë ankesat e tyre, ata do të thonë: ‘vendet e punës dhe drejtësia’. Ndërkaq, Beogradi synon që të ketë një shtet brenda një shteti, një shtet të Serbisë brenda shtetit të pavarur të Kosovës”, ka thënë Kurti.

Këtë qëndrim e ka shprehur të martën edhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, gjatë raportimit në Komisionin e Kuvendit të Kosovës për Integrime Evropiane.

Zonja Gërvalla ka thënë se krjimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është i dëmshëm për Kosovën.

(r.m.)  

Comment

*