Kurti: Shtetet e Ballkanit Perëndimor të lëvizin së bashku drejt BE-së

Bled (Slloveni), 1 shtator 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se beson se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të rrugëtojnë së bashku drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në panelin për zgjerimin e BE-së të Forumit Strategjik në Bled të Sllovenisë, Kurti tha se nga integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor  do të përfitojnë të dyja palët.

“Unë besoj se përfshirja e gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor do të ketë dy përfitime të mëdha për të dyja palët. Së pari, kufiri i jashtëm i BE-së do të zvogëlohet me mijëra kilometra, sepse ne nuk jemi fqinj me BE-në, por rrethohemi nga BE. Përveç kësaj, një në tre qytetarë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk banon në vendet e tyre, por në BE, kështu që me përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në BE diaspora jonë do të jetojë në të njëjtën hapësirë dhe kjo do të jetë shumë mirë për ekonominë. Për shembul, Kosova ka gati 20 për qind të GDP-së totale nga remetancat”, tha ai.

Kurti tha se zgjerimi i BE-së dhe reformat në vendet e Ballkanit  Perëndimor duhet të shkojnë paralelisht.

“Zgjerimi i ardhshëm i BE-së dhe reformat tona shkojnë krahë për krahë, besoj, sidoqoftë se duhet të ketë një sërë reformash edhe në sistemin vendimmarrës të BE-së”, u shpreh ai.

Kurti përsëriti idenë e tij për modifikimin e marrrëveshjes CEFTA-s në nëmarrëveshjen SEFTA.

“Para disa javësh, në samitin e Tiranës, kam propozuar që në vend të marrëveshjes CEFTA të bëhet marrëveshja SEFTA (Marrëveshja Evropiane për Tregti të Lirë me Evropën Juglindore), e modeluar sipas EFTA-EEA, ku të gjashtë shtetet e Ballkanit do të lëviznin së bashku drejt BE-së. Besoj se kjo është rruga më e sigurt përpara”, tha Kurti.

“Nuk dua t’i shpërfill negociatat mes shteteve të ndryshme, por besoj se SEFTA do të ndihmonte shumë”, theksoi ai.

Kurti theksoi se vendet e Ballkani Perëndimor duhet të përparojnë në fushën e sundimin e rendit dhe ligjit, në demokratizimin e shoqërisë, në luftimin e autokracisë. Ai theksoi gjithashtu se gjashtë vendet e rajonit duhet të ballafaqohen me të kaluarën dhe me kriminelët e luftës që janë në pushtet dhe me nacionalistët hegjemonistë.

Kurti bëri thirrje që të drejtat e minoriteteve në të gjithae vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë simetrike.

“Dëgjova në panelin e kaluar me kujdes, por vlerat e BE-së nuk besoj se janë raca dhe feja. Vlerat e BE-së janë demokracia, të drejtat njerëzore, sundimi i ligjit, të drejtat civile, ekonomi e tregut të lirë, drejtësi sociale. Këto janë vlerat e nuk është raca e feja. E këtu duhet pasur kujdes në luftimin e talibanëve e të mos përfundojmë si të tillë”, theksoi Kurti.

(r.m.)

Comment

*