Kurti: Tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet

Prishtinë, 30 shtator 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me marrëveshjen e arritur sot në Bruksel vendoset reciprociteti për targat e automjeteve midis Kosovës e Serbisë.

Kurti, në një postim në Facebook, ka thënë me marrëveshje parashihet që simbolet shtetërore të targave të Serbisë në Kosovë do të mbulohen ashtu siç do të mbulohen simbolet shtetërore në targat e Kosovës.

Ai ka theksuar se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte vënë katër kushte për takim me përfaqësues tëKosovës në Bruksel, por takimi i negociatorëve të dy vendeve në Bruksel u zhvillua pa u plotësuat këto kushte.

Kurti e ka cilësuar këtë si fillim të “epokës” së reciprocitetit me të cilën do të mësohet Serbia.

“Tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet”, ka theksuar Kurti.

Postimi i plotë i Kurtit:

Reciprociteti i targave të automjeteve është vendosur. Meqë targave të Republikës së Kosovës në Serbi do t’iu mbulohet simboli shtetëror, të gjitha targave të Serbisë pa dallim do t’iu mbulohet po ashtu simboli i tyre në territorin e shtetit tonë. Njësia Speciale e Policisë së Kosovës ka shkuar në Jarinje dhe Bërnjak më 20 shtator për të mbrojtur vendkalimet dhe policinë kufitare nga bllokuesit e rrugëve dhe qarkullimit të lirë. Meqë ata do të largohen, njësia jonë speciale nuk ka pse qëndron atje, dhe mbetet gjithnjë e gatshme për ndërhyrje në çfarëdo cenimi të njëjtë apo të ngjashëm në të ardhmen. Natyrisht, policia jonë kufitare në vijim do të zbatojë reciprocitetin e targave. KFOR-i do të qëndrojë aty, rreth dy javë, që gjithçka të jetë e sigurt.

Në javën e shkuar, Presidenti i Serbisë vuri katër kushte për takimin në Bruksel të përfaqësuesve tanë. Natyrisht që nuk ju plotësuan ato dhe dje u zhvilluan bisedimet në Bruksel. Tash fillon epoka kur Serbia nis e mësohet me reciprocitet.

(r.m.)