Kurti vizitoi shtetasit afganë në kampin Bondsteel

Prishtinë, 6 dhjetor 2021 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka vizituar sot migrantët afganë që janë vendosur përkohësisht në kampin ushtarak amerikan “Bondsteel”.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës njofton se z.Kurti e ka cilësuar si nder për popullin dhe për Qeverinë e Kosovës që të ndihmojë qytetarët afganë, në ditë të vështira për ta.

Ai ka thënë se me zyrtarët amerikanë kanë bashkëpunim të ngushtë në këtë çështje humanitare.

“Ata kishin nevojë për mbështetjen tonë dhe tani po u ndihmojmë së bashku”, kathënë Kurti.

Zyrtarët e kampit Bondsteel e kanë vlerësuar gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për strehimin e shtetasve afganë që ishin të detyruar të largoheshin nga vendi i tyre dhe për përkujdesjen ndaj tyre.

Gjatë vizitës së refugjatëve afganë Kryeministri Kurti është shoqëruar nga i ngarkuari me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Nicholas Giacobbe.

(r.m.)