Kurti: Zbatimi i vendimit për reciprocitet u shty për shkak të dezinformatave të Beogradit

Prishtinë, 4 gusht 2022 – Shtyrja e zbatimit të vendimeve për reciprocitet me Serbinë u bë për shkak të fushatës së madhe të dezinformimit që Beogradi ka bërë mbi qytetarët e Kosovës, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës parlamentare të 4 gushtit në Kuvendin e Kosovës.

“Ka qenë e egër fushata e dezinformimit, është folur për operacionin Stuhia, se do të ndodhë të dielën, është folur për ferrin që do t’i pllakosë serbët në Kosovë, e të tjera e të tjera”, tha ai.

Kurti tha se këto dezinformata kanë shtyrë Qeverinë e Kosovës që të pranojë te faktorët ndërkombëtarë evropianë dhe amerikanë shtyrjen e vendimit deri më 1 shator 2022.

“Ajo që është dashur të ndodhë para 11 viteve ne po fillojmë ta zbatojmë tani. Njëmbëdhjetë vjet ka pasur pritje e tash më pak se 1 muaj ka nxitim. Pra, ky muaj qenka shumë më i rëndë se ato 11 vjet”, u shpreh ai.

Kurti tha se zbatimi i ventimit për reciprocitet me Serbinë do të bëhet me 1 shtator dhe se me punë dhe angazhim gjithçka do të përmbyllet mirë.

“Më mirë më 1 shtator se hiç”, theksoi ai.

Këto deklarata të kryeministrit Kurti pasojë akuzat që deputetë të partive opozitare i kanë bërë Qeverisë për situatën e krijuar në veri.

Kurti tha se këto dy masa janë plotësisht në përputhje me marrëveshjet e Brukselit dhe se ishin të koordinuara me komunitetin ndërkombëtar.

Marrëveshja për lirinë e lëvizjes në mes të Prishtinës dhe Beogradit u arrit në Bruksel në vitin 2011.

Pika 3 e marrëveshjes thotë se “Secila palë mund të aplikojë një sistem ku kartat e identitetit do të shoqërohen me dokument të shkruar hyrje/dalje për personat nga vendi tjetër”.

E njëjta marrëveshje parasheh që në Kosovë të përdoren vetëm targat RKS ose KS. Targat KS nga shtatori i vitit 2020 më nuk lëshohen nga autoritetet kosovare.

Lëshimin e dokumentit për hyrje/dalje Serbia e pati zbatuar menjëherë ndaj shtetasve të Kosovës, por jo edhe Kosova ndaj shtetasve serbë.

(r.m.)

Comment

*