Kurti: Zgjedhja e Vjosa Osmanit presidente, pastaj reforma zgjedhore

Prishtinë, 3 prill 2021 – Kryeministri Albin Kurti ka thënë se reforma zgjedhore do të nisë menjëherë pas zgjedhjes së Vjosa Osmanit presidente të Kosovës.

Kurti, në një postim në Facebook, ka thënë se me zgjedhjen e presidentes përmbyllet procesi i konstituimit të institucioneve të reja të shtetit.

“Zgjedhja e Presidentes së Republikës është fitore për Kosovën. Ajo nuk është kundër askujt dhe është për të gjithë. Me zgjedhjen e Presidentes përmbyllet hapi i tretë i konstituimit të institucioneve të legjislaturës së tetë”, ka shkruar ai.

Kurti ka shkruar se menjëherë pas zgjedhes së Vjosa Osmanit presidente do të krijohet një komision i përbashkët me opozitën për reformën zgjedhore.

“Sot kemi seancën për zgjedhjen Presidente të znj. Vjosa Osmani. Menjëherë pas kësaj formojmë komisionin ku bashkë me opozitën punojmë, pajtohemi dhe sivjet e përmbyllim reformën zgjedhore”, ka shkruar Kurti.

Postimi i plotë i Kurtit:

Mbrëmë fitoi opozita, sonte duhet të fitojë shteti. Zgjedhja e Presidentes së Republikës është fitore për Kosovën. Ajo nuk është kundër askujt dhe është për të gjithë. Me zgjedhjen e Presidentes përmbyllet hapi i tretë i konstituimit të institucioneve të legjislaturës së tetë.

Pas fitores me 50,28% të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit, ne jemi shumica në Kuvendin e Kosovës. Mbrëmë deputetët tanë ishin shumica, por nuk ishin 2/3 e të pranishmëve. Nuk arritëm të procedojmë me projektligjin që ua mundëson mërgatës të votojë në ambasadat e konsullatat tona.

Ky Projektligj nuk kishte të bënte me reformën zgjedhore. Sidoqoftë, ai sot nuk është aktual. Sot kemi seancën për zgjedhjen Presidente të znj. Vjosa Osmani. Menjëherë pas kësaj formojmë komisionin ku bashkë me opozitën punojmë, pajtohemi dhe sivjet e përmbyllim reformën zgjedhore.

(r.m.)

Comment

*