Kush ishte mbrapa sulmit të sotëm që gati ndali internetin

Çfarë po ndodh me rrjetin që na lidh të gjithëve

Nga Ruben Avxhiu

Për më shumë se dy orë, sot në mëngjez, shumë përdorues të internetit në SHBA mezi arrinin të vizitonin faqet e tyre të preferuara.
Gazeta të njohura e rrjete sociale të përdorimit masiv mezi lëviznin. Nuk ishte iluzion e as përkeqësim i lidhjes personale në internet. Problemi ishte shumë më madhor.
Dikush ka sulmuar sot arkitekturën që mban në këmbë sistemin e domeneve të emërtuara apo DNS, pratikisht rrjeti teknik që i çon vizitorët nga adresa e faqes që duan të vizitojnë te serverët që ruajnë përmbajtjen aktuale të atyre faqeve.
Për specialistët e fushës, ky sulm njihet si DDoS dhe do të thotë “refuzim i përhapur i shërbimit” dhe në shënjestër të tij është vënë Dyn, një nga shërbyesit kryesorë të DNS-së. Ajo që ndodh praktikisht është që vizita fallco përmbysin faqet e synuara, duke i ngadalësuar ato e duke e bërë të lodhshëm e nganjëherë të pamundur leximin e tyre nga vizitorët realë.
Dyn ka paralajmëruar se sulme të ngjashme mund të ndodhin përsëri shpejt. Në fakt, kohët e fundit shumë rrjete sociale e faqe interneti kanë përjetuar ngadalësime e shkëputje. Shpesh për arsye sulmesh masive. Duket sikur dikush në mënyrë të organizuar dhe të vazhduar po vë në provë ekzistencën e rrjetit që na lidh të gjithëve.
Sulmet janë shumë më të sofistikuara dhe organizimi e vazhdimësia e tyre ka ngritur dyshime nëse ato janë të sponsorizuara fuqimisht nga dikush.
Disa ekspertë kanë shqiptuar në fakt publikisht dyshimin e parë që i ka ardhur në mendje shumëkujt që ka dëgjuar për këtë dukuri. Që një fuqi shtetërore, mbase Kina ose Rusia mund të jenë mbrapa kësaj lëvizjeje masive për të hetuar në mos sabotuar arkitekturën e rrjetit që ka bashkuar njerëzimin si kurrë më parë në historinë e tij.
Për shkak të ndërhyrjes ruse në fushatën presidenciale amerikane, këto zhvillime të dyshimta teknologjike kanë sjellë vëmendje politike mbi një proces që normalisht do të ishte më shumë temë debati teknik mes specialistësh.
Ironia e këtyre sulmeve është që ndërsa nga një anë ato kërcënojnë mënyrën tonë të përditshme të jetesës, shumë pak nga ne arrijnë të kuptojnë se si kryen këto sulme dhe akoma edhe më pak mund të japin ndonjë ide se si duhet mbrojtur prej tyre.
Në një nga pjesët më dinamike të Shteteve të Bashkuara, verilindja e vendit, duke përfshirë edhe New York City-n, sot në mëngjez, njerëzit nuk lexonin dot lajmet, nuk blenin dot në internet, nuk kontrollonin dot llogaritë e tyre bankare, nuk komunikonin dot me punëdhënësit e tyre, nuk fusnin dot lajme, dërgonin mesazhe, mbushnin formularë apo shkëmbenin të dhëna të natyrave të ndryshme.
Çfarë do të ndodhte nëse kjo do të kishte zgjatur më shumë se dy orë? Po nëse zgjerohet përtej kësaj zone kritike ekonomike e politike? Çfarë ndodh nëse qeveritë, pushtetet lokale, shërbimet e ndërhyrjes së shpejtë, të rendit publik, të sigurisë kombëtare, të nevojave sociale paralizohen?
A ishte kjo e sotmja një provë për një përpjekje shumë më dinake në ditën vendimtare të 8 nëntorit kur të zgjidhet presidenti i demokracisë më të fuqishme të botës?
Miliona njerëz vetëm mund të rrijnë e të kruajnë kokën. Ne nuk jemi në gjendje të gjejmë përgjigje vetë. Do të presim nga ekspertët e rrallë që gjykojnë këto situata dhe nga udhëheqësit e zgjedhur shumë prej të cilëve kuptojnë po aq pak sa ne, në një epokë kur dyshimi mbi institucionet nuk ka qenë kurrë më i madh. (Ruben Avxhiu)