Kushtetuesja nuk jep zgjidhje për mosmarrëveshjen mes Ramës e Metës për Gent Cakajn

Tiranë, 25 maj 2021 – Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka marrë të martën vendim për çështjen që kishte shkaktuar përplasje mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta – emërimin e Gent Cakajt për ministër të Jashtëm nga Kryeministri Rama dhe mosdekretimin e tij nga Presidenti  Meta.

Në vendimin e saj, Gjyakata Kushtetusja ka vendosur të pranojë pjesërisht kërkesën, ndërsa e ka pushuar gjykimin për kërkimin e zgjidhjes për mosmarrëveshjet rreth kompetencave ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit.

Gjykata ka theksuar se kompetencat për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahen mes tri organeve: Kryeministrit, Presidentit dhe Kuvendit.

Vendimi:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim në seancën plenare të datës 18.05.2021, çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt:

“Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Interpretimi i nenit 98, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese, njëzëri,

VENDOSI:

– Pranimin e pjesshëm të kërkesës.

– Pushimin e gjykimit për kërkimin mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës, ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

– Interpretimin përfundimtar të nenit 98 të Kushtetutës, për sa vijon:

– Në procedurën e emërimit dhe shkarkimit të ministrit, Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi, udhëhiqen nga parimi i luajalitetit kushtetues dhe atij të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

– Kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tre organeve të mësipërme.

– Procesi i emërimit të ministrit duhet të garantoje përmbushjen e kritereve dhe cilësive kushtetuese për këtë funksion.

– Vlerësimi dhe verifikimi i kandidatit për ministër, bëhet nga të tre organet e përfshira në proces, secili sipas rolit dhe kompetencave të tij kushtetuese, brenda afateve kushtetuese, në përputhje me arsyetimin e këtij vendimi.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

(Panorama.al)

Comment

*