“Kuvendi” i 11 dhjetorit, degët 3 dhe 6 publikojnë emrat e delegatëve nga zyra e Palokës

Drejtuesit e degëve 3 dhe 6 në Tiranë kanë lexuar publikisht emrat e delegatëve që kanë firmosur për thirrjen e Kuvendit Kombëtar më 11 dhjetor. Emrat e lexuar publikisht janë të atyre delegatëve që kanë pranuar t’u publikohet emri. Një pjesë e emrave nuk u lexua për arsye anonimati. Në krahun tjetër ka delegate që prentendojnë se u është falsifikuar firma.

Historia e firmave për mbledhjen e Kuvendit Kombëtar  të Partisë Demokratike, vijon të jetë pjesë e debatit të brendshëm në Partinë Demokratike.

Sot përfaqësues nga dega 3 dhe 6, ishin në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar Edi Paloka, duke hapur kasafortën dhe duke bërë publik emrat e firmëtarëve.

Në njësinë 6 janë firmosur 65 formularë. 

“80% të delegatëve kanë firmosur, ata kanë kërkuar të jenë publikë. Te njësia 6 janë 65 formularë, ne lexuam 58 emra, sepse personat e tjerë nuk duan të bëhen publikë. I kemi telefonuar të gjithë dhe kanë rezultuar 100% të vërteta”, tha Zefi.

Kurse përfaqësuesi i degës 3 tha se nga 89 delegatë kanë firmosur 77.

“Nga 89 delegatë, kanë firmosur 77 prej tyre. Gjashtë nuk kanë firmosur, gjashtë janë emigrantë,” tha ai, duke lexuar më pas listën e plotë.

Por nga ana tjetër ka pretendime për falsifikim të firmave. Rasti është i Freskida Hanit, sekretare në një nga seksionet e degës 5, e cila kërkon formularin që sipas saj ndodhet në zyrën e tij, por që nuk është firmosur nga ajo.

Përveç emrave, drejtuesit kanë bërë publike edhe formularët e tyre për mediat. 

Në zyrën e Palokës pretendohet se janë depozituar mbi 4200 firma delegatësh.OraNews