Kuvendi i Kosovës i miraton masat e emergjencës energjetike

Prishtinë, 29 dhjetor 2021 – Parlamenti i Kosovës miratoi me 57 vota vendimin e qeverisë për të shpallur gjendjen emergjente të furnizimit me energji elektrike, që pritet të zgjasë rreth dy muaj.

Vendimi, që nuk u mbështet nga opozita, i mundëson qeverisë të marr masa për vendosjen e kufizimeve në furnizimin me energji elektrike për konsumatorët dhe vendosjen e detyrimeve për ndërmarrjet e energjisë.

Kosova po përballet me përkeqësim të situatës me energji elektrike dhe temperaturat e ulta kanë shtuar nevojë për importim të sasive shtesë të energjisë, që Kosova nuk i përballon dot me prodhimin e saj.

Opozita tha se qeveria po synon të legalizojë ndërprerjen e energjisë elektrike për qytetarët dhe e kritikoi atë për mosveprim të mëhershëm në përballje me krizën energjetike të paralajmëruar që në fillim të vjeshtës.

Qeveria ka ndarë mjete financiare për të mbështetur Korporatën Energjetike të Kosovës për të importuar energji elektrike, ndërsa ka arsyetuar ndërprerjen e energjisë me kushtin që të mos rritet çmimi i energjisë elektrike për qytetarët.

Kosova përmbush shumicën e nevojave të saja me energji elektrike nga dy termocentrale të vjetra që punojnë qymyr linjit dhe vlerësohen të dëmshme për mjedisin.

Sipas Korporatës Energjetike të Kosovës, aktualisht prodhimi vendas arrin në rreth 600 megavat orë energji, ndërsa kërkesat në afro 1 mijë e 400 megavat.

Kriza energjetike botërore ka shkaktuar rritje të madhe të çmimeve dhe nëse një vit me parë një megavat orë energji mund të blihej me 69 euro, sivjet çmimi arriti në rreth 600 euro, afërsisht 680 dollarë amerikan.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*