Kuvendi i Kosovës nuk e miraton rezolutën për grevën në arsim 

Prishtinë, 23 shtatorit 2022 – Kuvendi i Kosovës ka dështuar të miratojë rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) për grevën në arsim.

Rezoluta e partisë opozitare, PDK-së, ka paraparë që Qeveria të nisë negociatat me Këshillin grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) brenda 48 orëve dhe të gjendet zgjidhje për dhënie fund të grevës.

Kjo rezolutë ka paraparë po ashtu që në grupin punues për hartimin e Projektligjit për paga, të përfshihen edhe përfaqësues të autorizuar të BSPK-së, para se dokumenti të dalë për miratim para Qeverisë.

Si pasojë e grevave që kanë nisur në sektorin e arsimit më 25 gusht, mbi 300.000 nxënës kanë mbetur pa mësim.

Grevën e kanë thyer vetëm disa shkolla dhe mësimdhënës që në mënyrë individuale kanë nisur t’i mbajnë orët.

Përveç mësimdhënësve, në grevë janë edhe punëtorët e administratës publike, si dhe shërbyesit civilë në institucione lokale dhe qendrore.

Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove në muaj për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.

Qeveria e Kosovës thotë se Ligji për pagat, që parasheh rritjen e tyre, do të dalë në miratim së shpejti. Para disa javësh, ajo ka paraqitur një pako për përballje me inflacionin, në kuadër të së cilës punonjësit e sektorit publik përfitojnë nga 50 euro shtesë, nisur nga ky muaj.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës në dy seancat e fundit kanë diskutuar për grevën në arsim.

Deputetët nga opozita e kanë hedhur fajin te Qeveria për mosgjetjen e një zgjidhjeje që do t’i jepte fund grevës, derisa deputetë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, kanë kritikuar Këshillin grevist për mosfillim të mësimit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, kanë thënë se Qeveria ka bërë hapa për zbutjen e krizës, duke prezantuar pakon për përballje me inflacionin.

Projektligji për paga, nga data 15 shtator deri më 6 tetor, do të jetë pjesë e konsultimeve publike.

Paga aktuale e mësimdhënësve në shkollat fillore të Kosovës është 470 euro, ndërsa me ligjin e ri pritet të arrijë në 620 euro.

Mësimdhënësit e shkollave të mesme aktualisht marrin nga 530 euro dhe kjo shumë pritet të rritet në 696 euro.

(REL)