Kuvendi i Kosovës nuk i miraton rekomandimet e opozitës për masat kufizuese

Prishtinë, 27 janar 2022 – Kuvendi i Kosovës nuk i ka miratuar rekomandimet e partive opozitare për  masat kufizuese kundër COVID-19. Nga 64 deputetë, sa ishin të pranishëm në seancë, kanë votuar 62 deputetë. 21 kanë votuar “për”, kurse 41 deputetë kanë votuar “kundër”.

Në seancën e jashtëzakonshme lidhur me situatën epidemiologjike me COVID-19 në Kosovë, opozita e ka akuzuar Qeverinë se nuk e ka menaxhuar si duhet situatën me pandeminë si edhe për masat e fundit kundër përhapjes së pandemisë.

Qeveria e Kosovës i ka arsyetuar masat e reja, duke thënë se ato kanë për qëllim ngadalësimin e rritjes së numrit të rasteve me koronavirus, pasi kapacitetet spitalore të Kosovës nuk do të mund ta përballonin një fluks të madh të hospitalizimeve.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se spitalet në Kosovë përballen me numër të kufizuar të shtretërve dhe të personelit shëndetësor, gjë që e detyrojnë qeverinë të ndërmarrë masa që reduktojnë shpejtësinë e përhapjes së virusit.

“Vala e koronavirusit Omicron i ka gjetur institucionet tona shëndetësore në gjendje gatishmërie, megjithatë, sot ndodhemi në mes të fazës më aktive të kësaj vale. Në dyjavëshin e fundit rastet e reja ditore janë rritur për më shumë se dhjetëfish dhe ka filluar të vërehet një rritje e dukshme e numrit të hospitalizimeve dhe humbjes së jetës”, ka thënë Kurti.

“Kosova nuk e ka luksin të injorojë një valë të re të pandemisë. Rritja e rasteve edhe për një kohë është e pashmangshme të ndalet, pavarësisht masave. Reagimi i shtetit duhet të jetë adekuat për një qasje parandaluese”, ka theksuar ai.

Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen dhe t’i respektojnë masat. Ai ka theksuar se Omicron po merr jetë njerëzish dhe mund të ngarkojë sistemin shëndetësor.

Seanca është thirrur me kërkesë të partive opozitare: Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

(r.m.)