Kuvendi i Kosovës pritet të miratojë rezolutë kundër referendumit të Serbisë në Kosovë

Prishtinë, 14 janar 2022 – Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë nesër (e shtunë) një seancë të jashtëzakonshme lidhur me kërkesën përorganizimin e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës.

Portali “Telegrafi” merr vesh se në këtë seancë pritet të miratohet një Rezolutë në të cilën do të mbështetet qëndrimi i krerëve më të lartë të shtetit kundër organizimit të referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës.

Presidentja Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, dhe Kryeministri Albin Kurti, e kanë shprehur këtë qëndrim  në takimin e përbashkët me përfaqësues të vendeve të QUINT-it (SHBA-së, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë) dhe me përfaqësuesin e BE-së në Kosovë.

Në deklaratën e përbashkët të Presidentes, Kryeparkamentarit dhe Kryeministrit thuhet se ata kanë bërë të qartë se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si edhe të praktikave ndërkombëtare.

“Kushtetuta e Kosovës, ligjet e aplikueshme në Kosovë si dhe e drejta ndërkombëtare dhe praktika ndërkombëtare nuk e njohin të drejtën e një shteti për të realizuar referendum në territorin sovran të një shteti tjetër”, thuhet në deklaratë.

Ata kanë thënë se vendimi i tyre nuk ka të bëjë fare me OSBE-në, por me  Serbinë, e cila dëshiron ta përdorë referendumin si mjet për shtrimin e sovranitetit të saj në Kosovë.

“Ashtu siç dëshmohet në letrën e dërguar OSBE-së nga ana e autoriteteve serbe, arsyeja pse Serbia insiston t’i hapë vendvotimet edhe në Kosovë, është sepse e konsideron Kosovën pjesë të territorit të saj. Prandaj edhe dëshiron ta shfrytëzojë referendumin si mjet të shtrimit të sovranitetit të saj mbi Kosovën. Rrjedhimisht, qëndrimi i institucioneve të Kosovës nuk ka fare të bëjë me OSBE-në, por me kundërshtimin e kësaj tendence të vazhdueshme të Serbisë, e cila dëshmon pretendime të qarta territoriale ndaj Kosovës”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Osmanit, Konjufcës dhe Kurtit.

Në deklaratë përsëritet qëndrimi se qytetarët serbë të Kosovës që kanë dyshtetësi do të mund të votojnë “në përputhje me standardet dhe praktikat ndërkombëtare”, përmes postës dhe në Zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.

(r.m.)

Comment

*