Kuvendi i Malit të Zi shqyrton nismën e opozitës për rrëzimin e qeverisë

Podgoricë, 12 dhjetor 2021 – Në seancën e parlamentit të Malit të Zi, e cila do të fillojë të hënën, më 13 dhjetor, do të shqyrtohet nisma e opozitës për mosbesimin ndaj qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq, raporton Zëri i Amerikës.

Kjo nismë ka shkaktuar fërkime të ashpra mes forcave politike në Mal të Zi dhe ditëve në vijim pritet thellimi i krizës politike në vend, që mund të shkaktojë edhe destabilizim në Mal të Zi.

Kryetari i Parlamentit, Aleksa Beçiq, ka thënë se shpreson që askush nga shumica parlamentare nuk do ta përkrahë nismën për mosbesimin e qeverisë.

“Mund të konfirmoj me përgjegjësi se Mali i Zi demokratik nuk do ta mbështesë mocionin e mosbesimit të Qeverisë. Mendoj se duhet, si shumicë parlamentare, të bisedojmë për të gjetur mënyra për të bashkëpunuar më mirë dhe për të përmirësuar cilësinë e punës sonë të përbashkët”, ka thënë Beçiq.

Ndërkaq, presidenti i Malit të Zi dhe lideri i opozitës, Milo Gjukanoviq, ka shprehur besimin se mocioni për mosbesimin e qeverisë do të ketë sukses.

“Unë jam optimist dhe më besoni është ora e fundit që të iniciohet dhe procedohet nisma për largimin e kësaj qeverie, e cila dita ditës, po i bën dëm të jashtëzakonshëm interesave të Malit të Zi”, ka thënë Gjukanoviq.

Fronti Demokratik, e cila konsiderohet si parti pro-ruse dhe pro-serbe, ndonëse e mbështet shumicën parlamentare, pfreferon zgjedhje të parakohshme.

“Pasi nuk arritëm të kemi një marrëveshje politike mendojmë se duhet të kthehen mandatet dhe të shkojmë në zgjedhje të reja”, ka thënë përfaqësuesi i kësaj partie, Nebojsha Medojeviq.

Edhe kryetari i Lëvizjes Qytetare “URA”, zëvendës-kryeministri Dritan Abazoviq, ka thënë se zgjedhjet e parakohshme janë opsioni i vetëm për zgjidhjen e krizës politike në Mal të Zi.

“Për zgjidhjen e krizës politike nuk ka opsion më të pastër se sa zgjedhjet e reja”, ka thënë ai.

Abazoviq e ka kritikuar Frontin Demokratik se në vazhdimësi e ka shantazhuar qeverinë.

Qeveria e Malit të Zi, e udhëhequr nga Zdravko Krivokapiq, është zgjedhur para një viti, me votat e 41 deputetëve nga gjithsej 81 që ka parlamenti i Malit të Zi. Kjo ishte qeveria e parë e Malit të Zi pa Partinë Demokratike Socialiste të Presidentit Milo  Gjukanoviq, ecila ka qeverisur pa ndërprerë tri dekada .

(r.m.)