Kuvendi i Republikës Serbe votoi mocionin për shkëputje nga Bosnja e Hercegovina

Banjallukë (Bosnjë e Hercegovinë), 11 dhjetor 2021 – Deputetët e Kuvendit të Republikës Serbe e miratuan të premten mocionin për tërheqjen e Republikës Serbe nga forcat e armatosura, nga sistemi gjyqësor dhe sistemi tatimor i Bosnjës e Hercegocinë.

Ky mocion jodetyrues synon të hapë rrugën për shkëputjen e Republikës Serbe nga Bosnja e Hercegovina.

Të tri institucionet përfaqësojnë shtyllat kryesore të sigurisë së përbashkët, sundimit të ligjit dhe sistemit ekonomik në Bosnje, e cila u nda në dy rajone autonome – Republika Serbe dhe Federata e dominuar nga kroatët dhe boshnjakët – pas luftës së viteve 1992-1995.

Ligjvënësit votuan edhe një deklaratë që bën thirrje për hartimin e një kushtetute të re për entitetin Republika Serbe, ndërsa nënvizon se “të gjitha ligjet e imponuara” nga Përfaqësuesi i lartë Ndërkombëtar në Bosnjë, janë “jokushtetues”.

Parlamenti i entitetit serb u mblodh në një periudhë kur anëtari serb i presidencës trepalëshe boshnjake, Milorad Dodik, shtoi fushatën e tij për shkëputje nga Bosnja pavarësisht kërcënimit për sanksione të reja nga Shtetet e Bashkuara dhe vendeve të tjera.

Milorad Dodik tha se ky ishte një sesion historik i parlamentit që do të forcojë minishtetin serb të Bosnjës, i themeluar si pjesë e një marrëveshjeje paqeje të sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara, që i dha fund luftës në Bosnjë në 1995.

“Në gjashtë muajt e ardhshëm, ne do të bisedojmë dhe do të shohim nëse ka një mundësi për të formuar një strukturë të re të forcave të armatosura, duke marrë parasysh pozicionin tonë, ose do të zgjedhim ndonjë nga mundësitë e mëposhtme: të formojmë një ushtri të Republikës Serbe, ose ne dorëzojmë ligjin për çmilitarizimin e përgjithshëm të Bosnjës”, tha ai.

Ai e quajti Bosnjën një “shtet në letër” dhe i tha parlamentit se duhet të mbahet një referendum në entitetin serb për formimin e ushtrisë, shërbimit të sigurisë, gjyqësorit dhe autoritetit tatimor dhe se duhet të hartohet një kushtetutë e re shtetërore.

Udhëheqësit e opozitës në parlament kritikuan politikat e Milorad Dodikut, duke thënë se ato janë të nxituara, krijojnë pasiguri dhe madje edhe përplasje të mundshme në rajonin ende të paqëndrueshëm të Ballkanit.

Prej vitesh Milorad Dodik është shprehur në favor të ndarjes së entitetit serb nga Bosnja për t’u bashkuar me Serbinë fqinje. Me mbështetjen e heshtur nga Rusia dhe Serbia, Dodiku kohët e fundit intensifikoi fushatën e tij.

Zyrtarët boshnjakë kanë paralajmëruar se politikat e Milorad Dodikut mund të çojnë në përplasje dhe u kanë bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që të veprojnë kundër atij dhe bashkëpunëtorëve të tij.

(Zëri i Amerikës)