Kuvendi i Shqipërisë e rrëzoi dekretin e Presidentit Meta për Butrintin

Tiranë, 14 korrik 2022 – Kuvendi i Shqipërisë e rrëzoi të enjten në mbrëmje dekretin e Presidentit Meta për rishikimin e Marrëveshjes për Menaxhimin e Parkut të Butrintit.

Prej disa vitesh, socialistët rrëzojnë dekretet e presidentit, pa rishikuar asgjë nga sugjerimet e tij për të përmirësuar ligjet. Kështu ndodhi edhe të enjten, ndonëse Presidenti vlerësoi se marrëveshja për menaxhimin e Parkut të Butrintit cenon Kushtetutën e Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtarepër trashëgiminë kulturore.

Para votimit në Kuvend, Aleanca për Mbrojtjen e Butrintit zhvilloi një protestë në hyrje të Kuvendit, përmes së cilës u kërkoi deputetëve ta rrëzojnë marrëveshjen si të tillë.

Përfaqësuesi i Aleancës për Mbrojtjen e Butrintit, Aulon Kalaja, theksoi si organizator i protestës, se kjo marrëveshje do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas tij, shumica parlamentare po kryen provën e dhënies me koncesion të Parkut Kombëtar të Butrintit, të cilin e sheh si projekt pilot për të dhënë me koncension edhe parqe dhe zona të tjera arkeologjike.

Ashtu sikurse Aleanca për Mbrojtjen e Butrintit, edhe deputetët e opozitës shprehën dyshime se marrëveshja për menaxhimin e Butrintit do ta dëmtojë Parkun Kombëtar, me planet për ta kthyer në burim biznesi dhe fitimesh.

Ata thanë se kjo trashëgimi kulturore e historike kombëtare do të rrezikohet nga veprimet tregtare në park dhe se marrëveshja është një aferë tjetër korruptive.

Por, socialistët në pushtet thanë se marrëveshja për menaxhimin e Butrintit ka për qëllim mbrojtje më të mirë të Parkut Kombëtar, falë investimeve për ruajtjen e tij. Sipas tyre, gjithçka është për të mirën e parkut dhe çdo fitim që do të nxjirret nga parku do të investohet po aty për konservimin dhe mbrojtjen e tij.

Marrëveshja 10 vjeçare midis Fondit për Menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit parashikon një investim prej 5 milionë dollarësh, përmes të cilit do të rritet siguria e vlerave arkeologjike dhe do të përmirësohet cilësia e shërbimeve për vizitorët e parkut.

(r.m.)