Kuvendi i Shqipërisë miratoi hetimet për zgjedhjet, i rrëzoi ato mbi çështjen “Beccheti”

Tiranë, 14 tetor 2021 – Kuvendi miratoi me 123 vota pro dhe asnjë vote kundër kërkesën e opozitës për ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti.

Opozita kërkoi që të hetohen dyshimet mbi keqpërdorimin e burimeve të administratës në fushatën dhe zgjedhjet e 25 prillit, të cilat sipas saj, lidhen me pengimin e emigrantëve për të votuar, me legalizimin e mijêra ndërtimeve tê paligjshme para zgjedhjeve, ndarjen e ndihmës ekonomike para kohe, punësimin e mijëra personave me kontrata të përkohshme në fushatë zgjedhore, rritjen e pagave të administratës publike, 5-fishimin e tenderave, prokurimeve dhe koncensioneve, si dhe me çështjen e patronazhistëve, që përdorën të dhënat personale të shtetasve.

Socialistët, që fituan në 25 prill një mandat të tretë qeverisës, i kanë hedhur poshtë akuzat e demokratëve për abuzime me burimet shtetërore gjatë zgjedhjeve, duke theksuar se qytetarët i rizgjodhën për shkak të përballjes me pasojat e tërmetit dhe pandemisë.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se po “shumica po e miratonte këtë komision si një e drejtë e opozitës, ndonëse zgjedhjet e përgjithshme u vlerësuan pozitivisht nga vëzhguesit ndërkombëtarë”.

Misioni ndërkombëtar i vëzhguesve theksoi në raportin përfundimtar për zgjedhjet e 25 prillit, se “pretendimet për shitblerje votash qenë të vazhdueshme gjatë fushatës”.

Raporti nxori në pah se “ofrimi i stimujve dhe presioni i pretenduar ndaj nëpunësve civilë përbënë shqetësim”. Po ashtu dhe “rrjedhja e të dhënave personale përbën shqetësim serioz dhe i bën zgjedhësit vulnerabël ndaj trysnisë”, thekson raporti, duke ju referuar kështu sistemit të patronazhistëve të ngritur nga Partia Socialiste.

Ajo kritikohet se “mori avantazhe të konsiderueshme nga të qenit në pushtet, përmes kontrollit të administratës lokale dhe nga shpërdorimi i burimeve të administratës publike”.

Kuvendi rrëzoi sot me 77 vota kundër të shumicës socialiste kërkesën e opozitës për të nisur hetime parlamentare mbi Çështjen Beccheti, humbja e të cilës në Arbitrazh i solli shtetit shqiptar një detyrim afro 120 milionë në favor të kompanisë.

Demokratët hodhën 46 votat e pamjaftueshme pro, ndërsa Partia Socialiste votoi kundër, duke vlerësuar se kërkesa për këto hetime shkel parimet kushtetuese të konfidencialitetit dhe ndarjes së pushteteve.

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, deklaroi se, “me rrëzimin e hetimeve parlamentare për Çështjen Beccheti, qeveria po përpiqet të bllokojë transparencën mbi përgjegjësit, që shkaktuan humbjen prej afro 120 milionë euro në Arbitrazhin Ndërkombëtar”.

Qeveria shqiptare shpronësoi kompaninë Beccheti nga projekti i hidrocentralit të Kalivaçit nga vitit 2014 dhe në tetor 2017 qeveria ia dha atë një kompanie turke.

Po në vjeshtën e 2014 një tjetër konflikt lindi mes disa titullarëve socialistë dhe televizionit Agon Channel, pronë e kompanisë Beccheti, kur ata pasqyruan në median e tyre ceremonitë e martesës së ish ministrit Erjon Veliaj.

Qeveria nisi hetimet për burimin e parave, që financonin Agon Channel dhe nisi të kontrollojë plotësimin e kushteve të koncensionit për projektin e Kalivaçit, deri në bllokimin e tij dhe të televizionit Agon.

Qendra për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve pranë Bankës Botërore vendosi të dëmshpërblejë kompaninë Beccheti me afro 120 milionë euro, sepse pas veprimeve të kryeministrit Edi Rama, kryetarit të bashkisë Erjon Veliaj dhe një seri zyrtarësh të tjerë, sipërmarrjet e biznesmenit italian Francesco Beccheti janë shkatërruar plotësisht.

Qeveria këmbënguli se hapat e këtij procesi arbitrazhi janë konfidencialë dhe veprimet e Kuvendit mund të përdoren në dëm të Shqipërisë nga pala tjetër.

Por opozita u shpreh se vendimi kundër Shqipërisë tashmë është marrë dhe është publik, dhe se dëmin 120 milionë euro duhet ta paguajnë shkaktarët dhe jo qytetarët.

(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)