Lajçak bën thirrje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës

Beograd, 21 shtator 2021 – Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, shprehu shqetësimin për situatën ekrijuar në veri të Kosovës, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë për target e automjeteve.

“Jam i shqetësuar dhe bëj thirrje për shtensionim urgjent. Është e rëndësishme të ulen tensionet, të rikthehet atmosfera paqësore dhe të lejohet liria e lëvizjes”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Ai ka thënë se për situatën në veri të Kosovës i ka njoftuar ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së dhe ka përsëritur gatishmërinë e institucioneve evropiane për të lehtësuar bisedimet “për të gjitha çështjet e hapura” në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Të hënën, Qeveria e Kosovës mori vendim që shoferët e automjeteve nga Serbia që hyjnë në Kosovë t’i ndërrojnë targat ose t’i mbulojnë ato dhe të vendosin tabela të përkohshme të Kosovës.

Qeveria e Kosovës tha se kjo është masë reciprociteti ndaj Serbisë, e cila e ka aplikuar të njëjtën masë qe më shumë se 10 vjet.

Dy vendkalimet kufitare mes Kosovës e Serbisë, në Jarinje dhe Bërnjakë, në pjesën veriore të Kosovës të banuar më shumicë serbe, janë bllokuar nga grupe serbësh që e kundërshtojnë vendimin për reciprocitet.

Atje janë vendosur njësitë speciale të Policisë së Kosovës.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të martën se policët e Kosovës janë “në nivel të detyrës dhe po kontribuojnë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërkoi të martën tërheqjen e Policisë së Kosovës nga pjesa veriore e vendit.

(r.m.)

Comment

*