Lajçak do të qëndrojë në Prishtinë të enjten

Bruksel, 24 nëntor 2021 – Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak do të qëndrojë në Prishtinë të enjten, më 25 nëntor.

Këtë e konfirmoi për gazetarët, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

“Këto vizita kanë për qëllim përparimin në përgatitjet për takimin e radhës në nivel të lartë për të cilin ende shpresojmë që do të mbahet më vonë gjatë këtij viti”, deklaroi Stano, citon Radio Evropa e Lirë

Stano përkujtoi se ministrat e jashtëm të shteteve anëtare të BE-së, në takimin e fundit, më 15 nëntor,  kërkuan nga Kosova dhe Serbia zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

Stano theksoi se kjo nënkupton edhe respektimin e marrëveshjes lidhur me vizitat e zyrtarëve të lartë të Beogradit në Prishtinë dhe anasjelltas, e cila është arritur në kuadër të dialogut.

Më 23 nëntor, Qeveria e Kosovës sërish e refuzoi kërkesën e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, që ta vizitojë Kosovën.

Stano  tha se sipas informacioneve që ka vizita ishte paralajmëruar me kohë dhe ishin përputhje me procedurat e përcaktuara në marrëveshje.

Qëndresa Fazliu nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha se kjo ministri është e gatshme të aprovojë vizitat në të ardhmen, nëse Petkoviq përmbahet nga gjuha që nxit tensione ndëretnike në Kosovë.

“Nëse z. Petkoviq tregon gatishmëri që të përmbahet nga gjuha nxitëse dhe provokuese në raport me qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës”, tha Fazliu.

Lajçak arrin në Prishtinë pas qëndrimit në Beograd, ku është takuar me presidentin  e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

(r.m.)

Comment

*