Lajçak: Drafti i Ekipit Menaxhues do të jetë pikënisje për diskutimet e ardhshme për Asociacionin

Bruksel, 8 maj 2023 – I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak e ka vlerësuar të rëndësishëm takimin e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të 2 majit në Bruksel.

Lajçak ka thënë se është i kënaqur që palët janë dakorduar që të punojnë bashkë për zgjidhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë dhe ka shtuar se pret të bëhet përparim në këtë temë.

“Ngjarja më e madhe e javës ishte padyshim takimi i Dialogut të Nivelit të Lartë i organizuar nga BE-ja dhe i asistuar nga unë, i cili u zhvillua të martën e kaluar. Presidenti Vuçiq dhe kryeministri Kurti u takuan në Bruksel për të diskutuar një çështje vendimtare të personave të zhdukur. Jam i kënaqur që të dy udhëheqësit ranë dakord të punojnë së bashku për të sqaruar vendndodhjen e njerëzve që u zhdukën gjatë luftës. Ne mirëpresim miratimin e palëve të deklaratës për personat e zhdukur dhe presim që ato të bëjnë përparim në mbylljen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur. Kjo jo vetëm që do t’i ndihmojë familjet e tyre të gjejnë paqe, por edhe do të avancojë normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka theksuar Lajçak, në takim me diplomaten zvicerane, Livia Leu.

Lajçak ka thënë se drafti i statutit  të Asociacionit të komunave m shumicë serbe në Kosovë i hartuar nga ekipi menaxhues është pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme.

“Megjithëse drafti i parë i paraqitur nga ekipi menaxhues nuk është përfundimtar, ai është një pikënisje e rëndësishme për diskutimet e ardhshme në nivelin e Kryenegociatorëve”, ka thënë ai.

Ekipi Menaxhues për hartimin e draftit të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe është shkarkuar nga Qeveria e Kosovës pak ditë pas prezantimit të draftit në Bruksel. Ky draft është cilësuar i papranueshëm për Kosovën nga kryeministri Albin Kurti.

(r.m.)