Lajçak e Bislimi në darkë pune në Prishtinë

Prishtinë, 25 janar 2023 – I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, është takuar të martën në Prishtinë me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi.

Klisman Kadiu, këshilltar për media i zëvendëskryeministrit, ka thënë se Lajçak dhe Bislimi do të kenë bashkë një darkë pune.

Më herët, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë se Qeveria nuk kishte pranuar kërkesë zyrtare nga ekipi  i z. Lajçak për takim me kryeministrin Albin Kurti.

“Për takimet e kryeministrit Kurti me Lajçak njoftoheni gjithmonë paraprakisht. Ne nuk kemi pranuar ndonjë kërkesë zyrtare nga Lajçak për takim me kryeministrin Kurti”, ka thënë Kryeziu.

Mirosllav Lajçak ka folur në KlanKosova për propozimin evropian për marrëveshjen bazë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka thënë se të dy palëve u është kërkuar të japin opinionet e tyre lidhur me propozimin.

”Jemi duke zhvilluar diskutime ndaras me palët dhe kur t’i bashkojmë do të presim që planin ta pranojnë, ta nënshkruajnë dhe, natyrisht, ta zbatojnë. Pra, që  të sigurohemi që ajo që do të nënshkruhet edhe të zbatohet”, ka thënë ai.

Lajçak ka thënë se version i fundit i propozimit  nuk është ai që u publikua ditë më parë nga gazeta serbe “Danas”.

”Është i afërt por nuk është i njëjti. Të mos luajmë me këtë. Kjo është filozofia”, është shprehur ai.

Por, ai ka shprehur bindjen se propozimi që u është dorëzar palëve është propozimi më i mirë i mundshëm.

 “Vërtetë besojmë se është propozimi më i mirë i mundshëm’, është shprehur ai.

I pyetur se sa ka ndryshuar versioni i fundit i propozimit nga propozimi i parë, Lajçak ka thënë se filofozia e propozimit nuk ka për të ndryshuar, sepse, siç është shprehur, “është hartuar me qëllimin më të mirë, që të arrihet te marrëveshja”.

Diplomatët në Bruksel e shohin vizitën e Lajçakut në Kosovë si vazhdim të përpjekjeve intensive për t’i bindur palët ta pranojnë propozimin evropian.

Por, Lajçak tha se ai dhe emisarët tjerë nuk vijnë në Kosovë me ultimatum.

”Ne jemi partnerë. Nuk vijmë me kërcënime ose ultimatum. Besoj se jemi një grup vërtet serioz  dhe kemi qëllimin më të mirë që me të vërtetë të zhvendosim cilësinë e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në nivel më të lartë”.

(r.m.)