Lajçak e Escobar bisedojnë për hapat e mëtejmë në dialogun Kosovë – Serbi

Prishtinë, 10 janar 2023 – I dërguari i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, ka zhvilluar sot një takim me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, me të cilin ka biseduar për hapat e mëtejmë në dialog.

Lajçak, në një postim në Twitter, ka thënë mezi pret bashkëpunimin e ngushtë me Escobarin.

“Harta e hapave të mëtejshëm në dialog me kolegun dhe mikun tim amerikan nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Escobar. Mezi presim të vazhdojmë bashkëpunimin tonë shumë të ngushtë në vitin 2023”, ka shkruar Lajçak.

Lajçak sot ka takuar edhe Komisionerin për Zgjerim të BE-së, Oliver Varhelyin, me të cilin gjithashtu ka biseduar për dialogun Kosovë-Serbi.

Ndërsa, një ditë më herët, Lajçak dhe Escobar në selinë e NATO-s, kanë zhvilluar një takim të dobishëm me zëvendëssekretarin e Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana.

“Diskutuam zhvillimet e fundit në dialog, duke përfshirë veriun e Kosovës, bashkëpunimin BE-SHBA-NATO dhe rrugën përpara. Mirënjohës për mundësinë për të adresuar gjithashtu bashkërisht çështjet në NATO”, ka shkruar Lajçak.

(Telegrafi)