Lajçak e Escobar do të vijnë këtë fundjavë në Prishtinë dhe në Beograd

Bruksel, 18 janar 2023 – I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian përdialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, dhe emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të vijnë këtë të premte në Prishtinë dhe në Beograd, për të përgatitur terrenin për vazhdimin e dialogut në nivel të lartë në Bruksel.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, njoftoi të mërkurën se Lajçak e Escobar do të vijnë së pari në Prishtinë, e pastaj do shkojnë në Beograd.

“I dërguari i posaçëm Lajçak, do të udhëtojë këtë javë në rajon. Kjo vizitë do të jetë në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme për avancimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Lajçak do ta vizitojë Kosovën e Serbinë këtë të premte”, tha Stano.

Ai tha se Lajçak e escobar do të takohen në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kurse në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Dy emisarët do të shoqërohen nga i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, dhe nga i dërguari i posaçëm i Gjermanisë, Jens Plotner.

Sipas burimeve në Bruksel, gjatë takimeve në Prishtinë dhe Beograd, fokusi kryesor do të jetë propozimi për një marrëveshje bazë dhe për organizimin e takimeve në nivel të lartë në dialog sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për këtë propozim.

Kosova është nën presion që të nisë punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që nga SHBA dhe BE konsiderohen obligim i Kosovës.

Fondacioni gjerman “Friedrich Ebert” konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se ka hartuar draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Sipas këtij fondacioni, ky draft “është një bazë e mirë, e cila pas publikimit meriton të diskutohet nga aktorët qeveritarë dhe joqeveritarë”.

Problemet kyçe në lidhje me formimin e Asociacionit lidhen me kompetencat e tij.

Në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës konstatoi se parimet e Asociacionit nuk janë plotësisht në frymën e Kushtetutës, përkatësisht nenin 3 për “barazinë para ligjit” dhe kapitujt për “të drejtat dhe liritë themelore” dhe “të drejtat e komuniteteve dhe anëtarëve të tyre”.

Fondacioni “Friedrich Ebert” tha se version i ri i draft-statutit është i harmonizuar me Kushtetutën e Kosovës, por nuk zbuloi pjesë të tij.

Kryeministri Kurti është shprehur kundër një asociacioni njëetnik. Por, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që Asociacioni të adresohet në marrëveshjen finale për normalizimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë.

(r.m.)