Lajçak: Kemi pritur më shumë mirëkuptim për propozimin e BE-së

Prishtinë, 20 janar 2023 – I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, në një deklaratë para mediave, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tha se delegacioni i emisarëve ndërkombëtarë ka pritur më shumë mirëkuptim rreth mundësive që ofron propozimi për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Lajçak tha të premten se qëllimi i takimit me kryeministrin Kurti, ishte diskutimi i propozimit për normalizim, të cilin, siç tha ai, i kishin prezantuar Kurtit në shtator, si dhe më vonë në muajin dhjetor[ të vitit të kaluar].

“Është shumë herët për të bërë deklarata dramatike, sepse, siç e dini, ne jemi në mesin e misionit tonë dhe do të vazhdojmë për në Beograd, kështu që nuk kam shumë çfarë të them. Por, dua të them se megjithatë, në këtë pikë, ne kemi pritur që të kuptohen më mirë mundësitë që i ofron ky propozim. Shpresoj të mbërrijmë atje, te mirëkuptimi i plotë, si dhe shfrytëzimi i plotë i potencialit që ka ky propozim. Ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë”, tha Lajçak të premten në Prishtinë.

Në takim me kryeministrin Kurti, përveç Lajçakut morën pjesë emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne, ai i Gjermanisë, Jens Plotner, dhe Francesco Talon, këshilltar i kryeministres së Italisë.

Lajçak theksoi se Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja janë të përkushtuara për arritjen e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe këtë, sipas tij, e dëshmon prania e emisarëve të SHBA-së, Gjermanisë, Italisë dhe Francës në takim.

Emisarët ndërkombëtarë qëndruan në Prishtinë me qëllim të intensifikimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pas vizitës në Prishtinë, ata do të shkojnë në Beograd, ku do të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vizitat në të dyja vendet synojnë të përgatisin terrenin për vazhdimin e dialogut në nivel të lartë në Bruksel.

Për çfarë propozim bëhet fjalë?

Propozimi i BE-së apo plani franko-gjerman, iu dorëzua autoriteteve në Prishtinë dhe Beograd në fund të verës dhe mbështetet nga Franca, Gjermania dhe SHBA-ja.

Zyrtarët në Prishtinë kanë thënë se ky propozim paraqet një bazë të mirë për të vazhduar dialogun me Serbinë, ndërsa ata në Beograd kanë thënë se nuk është i favorshëm për ta.

Plani, në të cilin ka pasur qasje REL, parasheh të drejta të barabarta për Kosovën dhe Serbinë, respektim të integritetit territorial, paprekshmëri të kufijve, njohje të simboleve shtetërore dhe një aranzhim të veçantë për komunitetin serb në Kosovë.

Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë – por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.

Nga Serbia, po ashtu, kërkohet që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Disa burime në Bruksel dhe në kryeqytetet kryesore evropiane e konfirmuan vërtetësinë e propozimit.

Propozimi i ka dhjetë pika dhe nëse palët pajtohen me të, ai do të hapë rrugën për vazhdimin e dialogut drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese.

Sipas propozimit, palët do të zhvillonin marrëdhënie të mira fqinjësore mes vete, duke u bazuar në të drejtat e barabarta, si dhe do t’i njihnin simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, targat e veturave, diplomat dhe vulat doganore.

Të gjitha mospajtimet, sipas këtij propozimi, Kosova dhe Serbia do t’i zgjidhnin me mjete paqësore, duke u përmbajtur nga kërcënimet apo përdorimi i forcës.

Një ditë para vizitës së të dërguarve të posaçëm perëndimorë në Kosovë dhe në Serbi, këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se nuk pret ndonjë zgjidhje gjatë takimeve të 20 janarit, por theksoi se “është një pikë e rëndësishme kthese” dhe se “shpresojmë në këtë proces – në javët e ardhshme, të shohim përparim të vërtetë”.

“Arsyeja përse SHBA-ja po i bashkohet kësaj vizite, ka të bëjë me rëndësinë që i kushtojmë këtij procesi dhe mbështetjen tonë për këtë proces. Ne shpresojmë në këtë proces – në javët e ardhshme, ne shpresojmë të shohim përparim të vërtetë”, ka thënë Chollet.

Synimi i bllokut evropian është që takimi Kurti-Vuçiq të mbahet para fundit të muajit janar.

Herën e fundit që ata u takuan për bisedime ishte 21 nëntori i vitit 2022.

Viti 2023 është paraparë të jetë vit i dinamizmit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjatë të cilit synohet përmbyllja e këtij procesi.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog me ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011. Prishtina kërkon që një marrëveshje finale me Serbinë të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Beogradi dëshiron një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

(REL)

Comment

*