Lajçak: S’është koha për ta hapur Urën e Ibrit në Mitrovicë

Delphi (Greqi), 29 prill 2023 – Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë të premten se nuk është koha për të hapur për qarkullim Urën kryesore mbi lumin Ibër, që e ndan në dy pjesë qytetin e Mitrovicës.

“Përderisa flasim, në Mitrovicë ka kërkesë për ta hapur urën, por është e qartë se atmosfera për këtë s’është e duhura. Dua ta shfrytëzoj këtë panel që të dërgoj mesazh se kjo është platforma e duhur (për dialogun). Ky plan është fitore e dyfishtë, ka shumë përfitime për të dyja palët dhe duhet të respektohen vijat e kuqe”, ka thënë Lajçak, duke iu referuar Marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit.

Këtë deklaratë Lajçak e ka bërë në kuadër të Forumit të Delphit në Greqi.

Kuvendi Komunal në Mitrovicën Veriore të premten ka marrë vendim për hapjen e urës mbi lumin Ibër për qarkullimin e automjeteve dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Ky vendim është marrë me propozim të asambleistes Aida Ferati-Doli për hapjen e urës për qarkullim të lirë të qytetarëve dhe të automjeteve.

(r.m.)