Lamtumirë Shaqir Gashi, një nga nismëtarët e lobimit modern shqiptaro-amerikan

Bashkëthemelues dhe një nga mbështetësit vendimtarë financiarë të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane

Nga Ruben Avxhiu

Shaqir Gashi, një nga paraprirësit e lobimit shqiptaro-amerikan për Kosovën ka mbyllur sytë sot.

Shqiptarët që punojnë sot për kauzën kombëtare në SHBA ecin në gjurmët e disa njerëzve që kanë hapur rrugën për ta e kanë provuar të parët që të bëjnë shumë nga gjërat që tani i marrim të mirëqëna.

Shaqir Gashi ishte një nga ata.

Historinë e tij e ka treguar vetë në autobiografinë që ka botuar: “Faleminderit Amerikë”. Deri atëhere burimi kryesor për punën e tij kanë qenë shkrimet e Vehbi Bajramit me të cilin kanë pasur shumë miqësi si dhe pjesa për të në librin “Shqiptarët e Amerikës”.

Ishte djali i tij, Kushtrimi që e njoftoi redaksinë e gazetës Illyria, që Shaqir Gashi na kishte lënë.

Si tregohet në librin “Shqiptarët e Amerikës”, në kulmin e tij si biznesmen, Shaqir Gashi ka pasur rreth 20 restorante në Manhattan. Diçka e jashtëzakonshme për një njeri që e nisi jetën në emigracion duke shpërndarë pica. Ajo që nuk ndryshoi asnjëherë ishte bujaria e tij për Kosovën dhe Çështjen Shqiptare.

Në kulmin e suksesit të tij, dhuroi pa u kursyer për organizimin e lobimit të parë modern të shqiptaro-amerikanëve. Ai ishte bashkëthemelues dhe një nga mbështetësit vendimtarë financiarë të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe kongresistit Joe DioGuardi.

Restorantet e Shaqir Gashit ishin vendtakime, qendra organizimi dhe mobilizimi për çështjen kombëtare në vitet 1980 dhe më pas. Sa e sa shqiptarë që pastaj hapën restorantet e tyre e mësuan zanatin në restorantet e Shaqir Gashit.

Si citon Vehbi Bajrami një bashkatdhetar në librin e tij “Shqiptarët e Amerikës”: “E kush nuk e njeh Shaqir Gashin. Kam qenë dikur punëtor në restorantin e tij. Shumë pronarë restorantesh sot në New York nga ai kanë mësuar. Filluan punë në restorantet e tij e pastaj ose i blenë ato, ose hapën të tjerë. Restorantet e Shaqir Gashit kanë qenë një shkollë për ne”.

Lokali i parë që hapi në Manhattan e kishte emrin “Drenica”, në vitin 1971.

Shaqiri ishte krenar që ishte nga Drenica. Fshati i tij i lindjes ishte Vojnik. Udhëtoi në të për herë të parë, pas 15 vitesh, pas çlirimit të Kosovës. Më parë nuk mundej për shkak të angazhimit të tij të jashtëzakonshëm për Kosovën.

Shaqir Gashi ishte njeriu që bleu biletat për udhëtim nga New York-u në Washington për takimet e para të Ibrahim Rugovës për Kosovën. Biletat, sipas porosisë i bleu me emra të ndryshuar, për të shmangur ndonjë atentat nga regjimi.

Ai ishte një nga faktorët kryesorë të lobimit të parë modern shqiptar në SHBA. Një nga dëshmitarët e rrallë të mëdhenj të historisë sonë shqiptaro-amerikane. Bashkëthemelues i Ligës, me Din Dertin, Rexhë Xhaklin e të tjerë. Pjesëtar i grupit të ngushtë që udhëtoi me kongresistin Tom Lantos dhe ish-kongresistin Joe DioGuardi në Shqipëri në vitin 1990. Një udhëtim që veç të tjerash zbuloi për herë të parë në histori shpëtimin e hebrejve nga shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore.

Nga ana tjetër, ai dhe bashkatdhetarë të tjerë sollën në Kosovë, të vetmin kongresist nga SHBA që ishte i mbijetuar i Holokaustit, një gjigand i luftrave për të drejtat e njeriut. Kontributit i kongresistit Lantos për Kosovën është i papërshkrueshëm.

Një nga miqtë më të ngushtë kishte Adem Demaçin. U lidhën të dy që nga fillimi dhe ishte një miqësi mbeti e fortë deri në fund të jetës së tyre.

E paharrueshme për të mbetej dëshmia e parë në Kongresin Amerikan ku u përballën me delegacionin serb t ët drejtuar nga Dobrica Qosiq. Mijëra shqiptarë kishin udhëtuar dhe ishin tubuar e brohorisnin për Kosovën jashtë. U kthyen të bindur se kishin arritur një fitore të madhe. Në hotelin Sheraton organizoi një darkë ku u mblodhën 2,000 shqiptarë. Komuniteti ishte zgjuar si asnjëherë tjetër. Në më pak se një dekadë, Kosova do të ishte e lirë për herë të parë në histori.

Në këto vite që gëzohen fryte të fitores, Shaqir Gashi ka pasur arsye të ndihet i harruar. Nuk është i vetmi se është në natyrën e njeriut të harrojë heronjtë e parë, ata të viteve që çajnë shtegun, përpara se të vërshojmë të gjithë. Por, vështirë të gjeje një njeri më optimist dhe më të qetë në ndërgjegje se Shaqiri. Gjithmonë mikpritës dhe i hapur për biseda.

Do të na mungojë të gjithëve në gazetën “Illyria” dhe kujtdo që e njohu në komunitetin shqiptar.

“E kam pasur mik. Një miqësi që ka zgjatur për 30 vjet e që nuk do të harrohet”, tha me këtë rast botuesi Vehbi Bajrami. “Komuniteti dhe mbarë kombi shqiptar duhet ta kujtojë për veprën e tij”.

Shaqir Gashi la pas vetes bashkëshorten Mysherefe, vajzat Lili dhe Drenusha, si dhe djalin Kushtrim me bashkëshorten dhe vajzën.

Gazeta “Illyria” i shpreh ngushëllimet familjes dhe miqve. Detajet për funeralin do të botohen më vonë.

Nje foto e veres se vitit 1990, dale ne Tirane me rastin e vizites historike te  Kongresmeneve Tom Lantosh dhe Joseph DioGuardi  ne Shqiperi.Ne foto,nder te tjeret shoqerues shqiptare,eshte edhe  zoti Shaqir Gashi,nje nder veprimtaret me te shquar patriote shqiptare te diaspores sone ne SHBA.