Lana Morton-Owens: Kosovës i duhet vetting sistematik

Prishtinë, 28 prill 2021 – Lana Morton-Owens, këshilltare e përhershme ligjore në Departamentin amerikan të Drejtësisë, tha se pajtohet që në Kosovë ka nevojë për një vetting në drejtësi dhe se e respekton nismën e Ministrisë së Drejtësisë që ta bëjë këtë. Por, ajo theksoi se vetting duhet të jetë një proces sistematik që do të zhvillohet nga një mekanizëm i ri.

”Unë pajtohem se duhet të ketë një sistem që është sistematik dhe i cili ripërsëritet, që të sigurojë që çdo person që mban një post publik duhet të besohet. Por, ju duhet të punoni së bashku me institucionet që keni, t’i forconi ato mekanizma dhe pajtohem se, ndoshta, do t’ju duhet një mekanizëm i ri. Nuk mendoj se duhet të jetë mekanizëm ndërkombëtar. E dëgjova ministren e Drejtësisë (Albulena Haxhiu) që tha se duhet të jetë e Kosovës dhe ne e mbështesim këtë. Ky duhet të jetë proces që udhëhiqet nga Kosova dhe ne, si ndërkombëtarë, duhet t’iu ofrojmë ekspertizë”, tha zonja Morton-Owens, në emisionin për sundimin e ligjit ‘Iustitia’, bashkëprodhim i Radios Evropa e Lirë dhe Betimit për Drejtësi.

Zonja Morton-Owens theksoi se procesit të vettingut nuk duhet t’i nënshtrohet vetëm sistemi i drejtësisë, por edhe institucionet dhe mekanizmat tjerë shtetërorë.

“Nëse flisni vetëm për gjyqësorin, bëni gabim. Ju duhet të shikoni në agjencitë kundër korrupsionit, në polici, në administratën tatimore, në njësitë për inteligjencë financiare… Duhet t’i verifikoni të gjithë. Kjo është një sfidë e madhe, por nëse doni ta bëni mirë duhet që ta planifikoni mirë dhe nëse arrini të krijoni diçka që është sistematike, do të shihni ndryshime të mëdha në sundimin e ligjit në Kosovë dhe vetëm përparim”, theksoi ajo.

Zonja Mortons – Owens paralajmëroi se vettingu në Kosovë duhet të bëhet me kujdes, ashtu që të mos bëhen gabime si ato në Shqipëri.

“Nëse e gjymtoni sistemin, duke larguar nga puna në të njëjtën kohë një numër të madh të gjyqtarëve dhe prokurorëve, kjo nuk do të ndodhë dhe duhet tetë vjet që një person të bëhet gjykatës apo prokuror dhe si do t’i zëvendësoni ata, nëse largoni nga puna shumë (gjykatës dhe prokurorë) në të njëjtën kohë?”, tha ajo.

Zonja Morton-Owens e vlerësoi si gjë të mirë nismën e Ministrisë së Drejtësisë për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Por, ajo tërhoqi vërejtjen se kjo gjë duhet të bëhet me shumë kujdes.

“Duhet të siguroheni që ka mekanizma të cilët do të sigurojnë që prona e dikujt nuk do të merret pa iu dhënë mundësa që të dalë para gjykatës. Duhet të siguroheni se do të ketë masa mbrojtëse, në mënyrë që të mos konfiskohet prona e një personi të pafajshëm”, u shpreh ajo.

“Kosova ka disa probleme. E para, ju keni ekonomi joformale, keni një diasporë të madhe që ende kontribuon për ekonominë kosovare, ju keni ende probleme me qasjen në prona, si për pronat para dhe pas luftës. Prandaj, në Kosovë ka disa probleme specifike, që sipas meje, e bëjnë më sfiduese këtë proces”, shtoi Morton-Owens.

Përveç tjerash, ajo tërhoqi edhe vërejtjen se baza ligjore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme duhet të hartohet me shumë kujdes, në mënyrë që të konfiskimi i pasurisë të mos shihet si hakmarrje nga kushdoqoftë.

“Si mekanizëm, është diçka që mund të përdoret në mënyrë efektive në shumë shtete, përfshirë edhe shtetin tim, por duhet të hartohet me kujdes, në mënyrë që të mos shihet si hakmarrje ndaj kundërshtarëve apo individëve dhe që të zbatohet në mënyrë të drejtë e fer ndaj të gjithë qytetarëve, në çdo rrethanë”, theksoi ajo.

(r.m.)