Largohet grupi i parë i afganëve të strehuar përkohësisht në Kosovë

Prishtinë, 17 shtator 2021 – Një grup shtetasish afganë u larguan të enjten nga Kosova ku ishin strehuar përkohësisht.

Jeta Tela, shefe e kabinetit në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Kosovës, i ka thënë Zërit të Amerikës se ata kanë shkuar në Britaninë e Madhe.

“117 persona largohen sot nga Kosova dhe fluturojnë për në Britaninë e Madhe”, ka thënë ajo.

Ambasada britanike në Prishtinë e falënderoi Kosovën për “bujarinë”, ndërsa zëvendës ambasadori Jacob Webber, tha se po punohet për dërgimin e të gjithë afganëvr të strehuar në Kosovë në shtete të tjera, për strehim afatgjatë.

“Ata kanë kaluar nëpër një situatë të rëndë. Është një rrugë e vështirë që ata kanë kaluar. Atyre u kanë mbetur edhe një distancë e shkurtër për të kaluar. Dhe tashmë janë nisur me avion drejt Mbretërisë së Bashkuar, por këtë gjë ne nuk do të mund ta bënim pa Kosovën”, theksoi ai.

Ambasada amerikane e falënderoi Kosovën për sigurimin e strehimit të përkohshëm dhe “partnerët britanikë për mikpritjen e afganëve në rrezik në shtëpitë e tyre të reja”.

Të larguarit ishin në mesin e afër një mijë shtetasve afganë të strehuar në Kosovë që nga fundi i muajit të kaluar, si pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për t’i shpëtuar ata nga dhuna në Afganistan.

Sipas autoriteteve në Kosovë shumica e tyre janë gra, fëmijë e pleq, familjarë të kontraktorëve që kanë punuar me koalicionin e udhëhequr nga Shtette e Bahskuara në Afganistan.

Refugjatët afganë po qëndrojnë në dy kampe në qytetin e Ferizajt, rreth 40 kilometra larg kryeqytetit. Rreth 800 prej tyre në ish kampin e kompanisë amerikano-turke, Bechtel-Eenka, si dhe një pjesë e vogël në kampin e trupave amerikane, Bondsteel.

Autoritetet në Kosovë janë zotuar të strehojnë përkohësisht deri në dy mijë shtetas afganë, derisa të përfundojnë procedurat për destinacionin e tyre përfundimtar.

Shtetet e Bashkuara kërkuan nga Kosova të pranojnë një numër afganësh, që kanë punuar me forcat amerikane, të cilët ndjehen të frikësuar nga hakmarrja e talebanëve, që morën nën kontroll vendin pas tërheqjes së trupave të huaja.

(Zëri i Amerikës)