Largohet nga Kosova grupi i parë i afganëve të strehuar përkohësisht

Prishtinë, 16 shtator 2021 – Një grup shtetasish afganë të strehuar përkohësisht në Kosovë do të largohen të enjten.

Ambasada e Britanisë në Prishtinë ka bërë të ditur se 117 afganë, ish-punonjës të NATO-s, do të nisen për në Britani.

Ambasada ka treguar se nga Afganistani janë evakuuar 2.000 ish-punonjës afganë të NATO-s dhe familjarët e tyre, 800 prej të cilëve janë akomoduar përkohësisht në Kosovë.

“Forcat e armatosura të Britanisë nën komandën e NATO-s janë vendosur në Kosovë dhe janë në ballë të operacionit për të përkrahur strehimin e tyre dhe zhvendosjen. Britania është e përkushtuar të strehojë afganë që kanë punuar në NATO. Jemi shumë falënderues për bujarinë e Kosovës në mikëpritjen e këtyre njerëzve në nevojë dhe që kanë ndihmuar NATO-n në këtë periudhë”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Britanisë në Kosovë.

Grupi i afganëve që largohen të enjten ishin strehuar në kampin Bechtel-Enka, në periferi të Ferizajt.

Në Kosovë, deri të hënën në mesditë, kanë arritur 971 refugjatë afganë.

(r.m.)

Comment

*