Latifi e vlerëson mbështetjen e madhe të Japonisë për shëndetësinë e Kosovës

Prishtinë, 24 janar 2022 – Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Rifat Latifi, priti të hënën në takim të Ngarkuarin e ri me punë në Ambasadën e Japonisë në Kosovë, z. Keisuke Yamanaka, njofton Ministria e Shëndetësisë.

Nënjoftim bëhet e ditur se ministri Latifi e ka uruar z.Yamanaka për detyrën e re dhe e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme të Japonisë për sistemin shëndetësor, në veçanti për përkrahjen konkrete në luftimin e pandemisë së koronavirusit.

“Japonia vazhdon të jetë një nga partnerët më të fuqishëm të Kosovës në shëndetësi dhe për këtë u jemi shumë mirënjohës”, ka thënë ministri Latifi.

Ai ka shprehur interesin për intensifikimin e bashkëpunimit bilateral në fusha me interes të përbashkët, si në atë të studimeve postdiplomike për studentët e mjekët e rinj të Kosovës, si në fushën e kirurgjisë e të fushave tjera të mjekësisë.

Nga ana e tij, z.Yamanaka ka konfirmuar përkushtimin për nxitjen dhe fuqizimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndërmjet Japonisë dhe Kosovës dhe se Japonia do të vazhdojë mbështetjen për projektet që kanë qëllim përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në Kosovë.

(r.m.)