LDK do të marrë pjesë në votimin për presidentin e Kosovës

Prishtinë, 30 mars 2021 – Lidhja Demokratike e Kosovës vendosi të martën që të marrë pjesë në votimin për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës kurdo që të mbahet seanca parlamentare për këtë çështje.

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, tha pas një takimi me deputetet e kësaj partie se Lidhja Demokratike nuk do të paraqesë pengesa dhe do të ushtrojë detyrimin e saj kushtetues për të marrë pjesë në votimin e presidentit të vendit.

Zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës duhet të ndodhë gjatë muajit që po vjen. Lëvizja Vetëvendosje e cila doli fituese në zgjedhjet e 14 shkurtit duke siguruar 58 vende në parlamentin 120 vendesh, ndërsa ka kandiduar zonjën Vjosa Osmani për presidente, nuk i ka votat e mjaftueshme për zgjedhjen e saj.

Sipas Kushtetutës, zgjedhja e presidentit kërkon në dy raundet e para të votimit dy të tretat e votave, ndërsa në raundin e tretë, mund të zgjidhet me shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Mbështetja e Lidhjes Demokratike që ka 15 vende në parlament, bashkë me votat e pakicave joserbe mund të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave. Shefat e kësaj partie diskutuan disa herë gjatë ditëve të fundit me zonjën Osmani e cila u shkarkua nga kjo parti në qershor të vitit 2020, ndërsa në zgjedhjet e 14 shkurtit ishte pjesë e listës së lëvizjes Vetëvendosje.

Zoti Abdixhiku tha se është vendim i kryesisë së Lidhjes Demokratike për të marrë pjesë në votim dhe se pret që të gjithë deputetët e kësaj partie ta respektojnë atë.

Që nga 5 nëntori i vitit të kaluar Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi që ish presidenti Hashim Thaçi dha dorëheqje nga ky post pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara me seli në Hagë.

Që nga 5 nëntori deri të hënën me 22 mars, këtë post e ushtroi Vjosa Osmani e cila u pasua nga kryetar i ri i parlamentit Glauk Konjufca.

Dështimi për të zgjedhur presidentin, mund të çojë vendin sërish në zgjedhje të parakohshme.

Diplomatët perëndimorë, u kanë bërë thirrje partive politike që të shmangin një mundësi të tillë, meqë Kosova ka nevojë për institucione të reja në një periudhë sfidash shëndetësore, ekonomike e politike.

(Zëri i Amerikës)