LDK doli partia më e votuar në zgjedhjet për asambletë komunale

Prishtinë, 3 nëntor 2021 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) i ka certifikuar të mërkurën rezultatet e zgjedhjeve për kuvendet e komunave, të cilat u mbajtën më 17 tetor.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka dalë partia më e votuar për asambletë komunale, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) renditet e dyta, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e treta, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e katërta, kurse Lista Serbe (LS) ka dalë e pesta.

LDK-ja i ka marrë gjithsej 170.134 vota, LVV-ja i ka fituar 168.084 vota, PDK-ja i ka marrë 161.645 vota, AAK-ja i ka marrë 90.863 vota, LS-ja i ka marrë 53.342 vota.

Rezultatet e votimit për kryetarë të komunave janë certifikuar më herët. Sipas këtyre rezultateve, në votimin e 17 tetorit janë zgjedhur kryetarët e 17 komunave.

Kandidatët e Listës Serbe kanë fituar në 9 komuna, nga gjithsej 10 komuna të banuara me shumicë serbe.

PDK-ja ka fituar në katër komuna (Mitrovicë, Ferizaj, Skenderaj e Han i Elezit), LDK-ja ka fituar në dy komuna (Pejë e Lipjan), sikurse edhe AAK-ja (Suharekë e Deçan).

Kryetarët e 21 komunave tjera (Gjakovë, Drenas, Gjilan, Dragash, Istog, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Kamenicë, Obiliq, Rahovec, Podujevë, Prishtinë, Prizren, Shtime, Viti, Vushtrri, Malishevë, Junik, Mamushë dhe Kllokot) do të zgjidhen pas raundit të dytë të votimit, që do të zhvillohet më 14 nëntor.

E papritura e zgjedhjeve të 17 tetorit është rezultati i dobët i Lëvizjes Vetëvendosje, sidomos në zgjedhjet për kryetarë të komunave. Në ruandin e parë të votimit, kjo parti nuk fitoi në asnjë komunë.

(r.m.)