LDK: Pa përfshirjen e SHBA-së nuk duhet të ketë dialog me Serbinë

Prishtinë, 26 maj 2021 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se pa pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk duhet të ketë dialog me Serbinë.

“Pjesëmarrja e SHBA-së është e pakontestueshme. Pa pjesëmarrje të SHBA-në as që duhet të ketë dialog. Kosova vlerëson rolin e BE-së, por domosdoshmërish e kërkon përfshirjen e SHBA-së në dialog. Kjo është e padiskutueshme”, ka thënë Abdixhiku.

Kryetari i LDK-së eka bërë këtë deklaratë të mërkurën, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të realizuar me ftesë të këtij të fundit.

Abdixhiku ka thënë se nga kryeministri Kurti ka kërkuar të dijë qëndrimin politik të Qeverisë për procesin e dialogut.

“Kosova duhet të dijë se cili është qëndrimi politik i Qeverisë së Kosovës në dialog dhe po e presim se cili është ky pozicion, dhe bëmë një ofertë, ku i dorëzuam kryeministrit një dokument mbi pozicionin politik, që në mendojmë që Qeveria e Kosovës duhet ta ketë. Ky dokument përmban parime që dialogu duhet t’i mbrojë e që janë diskutimi mbi bazën e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, mbrojtja e integritetit territorial, ruajtja e karakterit unitar të Kosovës dhe rendit kushtetues”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka treguar se kryeministrit Kurti ia ka dorëzuar një dokument në të cilin janë paraqitur parimet që sipas LDK-së duhet të respektohen gjatë dialogut me Serbinë. Ai ka theksuar se LDK-ja do ta përkrahë procesin e dialogut, nëse do të respektohen parimet e prezantuara në dokumentin e dorëzuar, të cilat duhet  të kenë rezultat përfundimtar njohjen e ndërsjellë.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës kabërë të ditur se kryeministri Kurti dhe kryetari i LDK-së janë pajtuar që diskutimi rreth dialogut me Serbinë të vazhdojë edhe në Kuvendin e Kosovës, ndërsa kryeministri Kurti  e ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes pozitës dhe opozitës në temat me interes nacional.

Takimi i sotëm i Kryeministrit Kurti me Kryetarin e LDK-së është mbajtur në vazhdën e takimeve të Kurtit me liderët e partive opozitare, me qëllim që të bashkëpunimit të mirëfilltë për çështje me interes të Republikës së Kosovës.

Të martën, Kurti është takuar me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Edhe kreu i AAK-së ka kërkuar që SHBA të emërojë një përfaqësues të saj në dialogun me Serbinë.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj, e ka refuzuar thirrjen për takim.

Pakditë më parë, në Bruksel është paralajmëruar se gjatë muajit qershor pritet të mbahet një takim mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kryeministri Kurti ka thënë disa herë se ai nuk do të zhvillojë takime në kuadër të dialogut para se të  konsultohet me gjithë spektrin politik të Kosovës.

(r.m.)