LDK: Vetëm marrëveshja me njohje të ndërsjellë garanton normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë

Prishtinë, 10 mars 2023 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, bashkë me bashkëpunëtorë, është takuar të premten në Prishtinë me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak.

Abdixhiku, në një postim në Facebook, ka bërë të ditur se në takim ka shprehur qëndrimin e LDK-së se asnjë marrëveshje që nuk përqendrohet në njohjen e ndërsjellë nuk garanton normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë. Ai ka thënë se nga zoti Lajçak ka kërkuar sqarime në lidhje me tekstin e marrëveshjes së propozuar nga Bashkimi Evropian.

“LDK-ja përsërit se Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Heqja dorë nga njohja është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kryeministrit Kurti dhe e institucioneve të tjera kushtetuese të Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku.

“Në takim, z.Lajcak i kërkova sqarime në lidhje me tekstin e marrëveshjes së propozuar, në mënyrë të veçantë në lidhje me preambulën, me nenin 7, nenin 10 dhe me planin implementues të marrëveshjes së tanishme”, ka shtuar ai.

Përndryshe, Abdixhiku ka thënë se LDK-ja mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimit Evropian dhe implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur gjatë dialogut.

“LDK-ja i jep përkrahje procesit të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-ve. LDK-ja rithekson se mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces”, ka shkruar Abdixhiku.

Postimi i plotë:

Sot, pritëm ndërmjetësuesin e BE-së në dialogun Kosovë – Serbi, z. Miroslav Lajçak. Me të biseduam për ecurinë e procesit dialogues, me theks të veçantë për propozimin evropian në lidhje me normalizimin e raporteve Kosovë – Serbi.

LDK-ja i jep përkrahje procesit të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-ve. LDK-ja rithekson se mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces.

LDK-ja përsërit se Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Heqja dorë nga njohja është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e kryeministrit Kurti dhe e institucioneve të tjera kushtetuese të Kosovës.

Në takim, z.Lajcak i kërkova sqarime në lidhje me tekstin e marrëveshjes së propozuar, në mënyrë të veçantë në lidhje me preambulën, me nenin 7, nenin 10 dhe me planin implementues të marrëveshjes së tanishme.

(r.m.)