Leja e punës për ata që po bëjnë kërkesë për strehim politik

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Po kërkoj strehim politik në SHBA për shkak se kam qenë i përndjekur. Më kanë thënë se duhet të pres një vit të tërë që të marr lejen e punës. A ka ndonjë gjë që mund të bëj?  

Anonim

Po. Më 11 shtator, 2020 një gjykatës federal që gjykoi çështjen CASA de Maryland v. Mayorkas nuk e lejoi qeverinë që të zbatonte rregullat e reja për marrjen e lejes së punës në rastin e aplikimeve të anëtarëve të grupit që hodhi qeverinë në gjyq. Administrata e presidentit Trump pati miratuar më parë rregulla të cilat zvogëlonin ndjeshëm mundësinë e azilkërkuesve për të punuar në SHBA gjatë kohës që kërkesat e tyre për strehim politik ishin në pritje për t’u shqyrtuar. Shumë çështje janë shtyrë me vite për shkak të pandemisë së koronavirusit, duke u lënë aplikantëve shumë pak alternativa për të mbijetuar. 

Projekti që u ofron ndihmë dhe mbështetje azilkërkuesve – The Asylum Seeker Advocacy Project (ASAP) – ngriti këtë çështje gjyqësore për të luftuar që azilkërkuesit të kenë mundësi që të punojnë në mënyrë të ligjshme në Shtetet e Bashkuara. (Më parë çështja gjyqësore në fjalë quhej CASA v. Wolf.  Ndryshimi i emrit u bë ngaqë tani është një president i ri dhe agjencitë qeveritare kanë drejtues të rinj, por pavarësisht nga emri, bëhet fjalë për të njëjtën çështje gjyqësore.) 

Si rezultat i kësaj çështje gjyqësore, nëse jeni anëtar i ASAP-it, keni të drejtë:

  • Të bëni kërkesë për leje pune 150 ditë pas dërgimit të aplikimit për strehim politik dhe kualifikoheni për ta marrë lejen e punës pas 180 ditëve, pra jo më, pas një pritjeje 365 ditore.
  • Të mos paguani tarifën prej $85 për të dhënat biometrike të cilën azilkërkuesit e tjerë duhet ta paguajnë kur bëjnë kërkesë për leje pune (Formulari I-765).  
  • Që leja juaj e parë për punë të proçesohet brenda 30 ditëve.  
  • Të aplikoni për leje pune edhe kur keni bërë kërkesë për azil politik pas më shumë se një viti që nga koha kur mbërritët në Shtetet e Bashkuara.  
  • Që aplikimi që keni paraqitur për azil “të gjykohet i plotë”, nëse Shërbimi i Emigracionit dhe i Nënshtetësisë (USCIS) e ka mbajtur pezull për më shumë se 30 ditë, gjë që ju siguron mundësinë për të bërë kërkesë për leje pune 150 ditë pas paraqitjes së  aplikimit për azil politik.  
  • Që të mos ju hidhet poshtë aplikimi në bazë të një vendimi diskrecional. 

Kushdo mund të bëjë kërkesë për anëtarësim në ASAP nëpërmjet faqes së internetit:  https://asylumadvocacy.org/resource/sample-work-permit-application/

Anëtarëve të ASAP-it mund t’u proçesohen aplikimet në bazë të vendimit të gjykatës për çështjen CASA v. Mayorkas në rast se janë anëtarë në kohën kur bëjnë kërkesë për leje pune. Si rregull, anëtarët e ASAP-it kualifikohen për të bërë kërkesë për leje pune 150 ditë nga dita kur kanë paraqitur aplikimin për strehim politik (Formulari I-589). Nëse jeni anëtar i CASA-s ose ASAP-it duhet ta paraqisni aplikimin I-765 pa qenë nevoja të paguani tarifën për të dhënat biometrike. Që të mund të bëni diçka të tillë, pra të mos paguani tarifën në fjalë, duhet që së bashku me aplikimin I-765 të paraqisni dokumenta që dëshmojnë anëtarësinë tuaj në ASAP. Këto dokumenta mund të jenë: kopje e kartës së anëtarësisë, ku tregohet emri si dhe numri i identitetit të anëtarit, nëse egziston; ose një letër nga njëra prej organizatave që vërteton anëtarësinë tuaj në to. Pra, nëse paraqisni një formular I-765 të plotësuar siç duhet me dëshmi të anëtarësisë në ASAP, USCIS-i do t’jua pranojë aplikimin pa tarifën që nevojitet për marrjen e të dhënave biometrike. Jo vetëm kaq, por USCIS-i nuk do t’ju kërkojë që të caktoni takim për marrjen e të dhënave biometrike që lidhen me aplikimin për leje pune I-765. Megjithatë, në rast se ndërkohë, nuk keni patur asnjëherë takim për të dhënat biometrike me USCIS-in, USCIS-i do t’ju kërkojë që të caktoni takim për të dhënat biometrike lidhur me aplikimin tuaj për strehim politik I-589. Një kopje e printuar e kartës së anëtarësisë në ASAP DUHET futur direkt pas formularit I-765. Nëse egziston çfarëdolloj gjëje tjetër mes formularit I-765 dhe kartës së anëtarësisë — qoftë kjo dhe një letër shoqëruese ku deklarohet që jeni anëtar i ASAP-it — USCIS-i mund të mos arrijë të kuptojë që aplikimi në fjalë duhet proçesuar në bazë të rregullit provizor gjë që mund të shkaktojë vonesa.

Nëse po bëni kërkesë për një fëmijë të cilin e keni përfshirë në aplikimin për strehim politik, duhet që menjëherë pas formularit I-765 të fusni një kopje të kartës suaj të anëtarësisë në ASAP. Menjëherë pas kopjes së kartës së anëtarësisë duhet të fusni dokumentin që dëshmon që jeni prindi i fëmijës p.sh. një kopje të çertifikatës së lindjes së fëmijës që përmban emrin tuaj dhe të fëmijës. Nëse çertifikata e lindjes (ose dokumenti që dëshmon lidhjen mes jush) nuk është në anglisht, nevojitet që të fusni dhe përkthimin në anglisht të shoqëruar me çertifikatën përkatëse të përkthimit. Secili anëtar i familjes suaj që po bën kërkesë për leje pune duhet të përgatisë paketën më vete të aplikimit ku përfshihen dhe formularët përkatës I-765. Paketat duhen dërguar të gjitha bashkë me postë. Nëse i dërgoni formularët I-765 përmes shërbimit postar të SHBA-së (U.S. Postal Service), dërgesa duhet bërë në adresën USCIS, PO Box 650888, Dallas, TX 75265-0888. 

Projekti ASAP deklaron në faqen e tij të internetit që i mban të fshehta informacionet personale të anëtarëve të tij dhe që pa lejen e anëtarëve të tij nuk e ndan me askënd informacionin që ka të bëjë me ta.  

Kjo rubrikë nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit.

Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është [email protected]