LETRA E DYTË E HAPUR PRESIDENTIT TË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS JOSEPH BIDEN

Pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e SHBA-së në dialog dhe zgjidhjen e konfliktit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është qenësore

Nga MA. AGIM ALIÇKAJ

Nju Jork, Me 3 Janar 2022        

Autori (djathtas) me Senatorin Joe Biden, sot President i Shteteve të Bashkuara

I nderuar  Zoti President Biden,

         Si shumë shqiptaro-amerikanë të tjerë, unë votova për ju në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, edhe pse jam republikan i regjistruar. Vota ime ishte e bazuar në respektin e madh për shërbimin tuaj të gjatë për popullin amerikan dhe dy çështje tjera shumë të rëndësishme, njëra e brendshme e tjetra ndërkombëtare. Çështja e brendshme ishte e fokusuar në afrimin dhe bashkimin e popullit amerikan pas vitesh përçarje ekstreme; dhe e dyta ishte shpresa se do t’i kushtoni vëmendje më të madhe situates në Ballkan. Besoj se për të parën duhet më shumë kohë sepse është proces i vazhdueshëm. Fatkeqësisht, çështja e dytë nuk është as afër ndonjë zgjidhjeje të drejt e të qëndrueshme.

          Në letrën time të parë të hapur që ju dërgova menjëherë pasi që ju u bëtë President, unë paraqita arsyet pse SHBA-ja dhe ju personalisht duhet të angazhoheni drejtpërdrejt  në Ballkan dhe zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë. Meqë të gjitha argumentet e bëra atëherë vlejnë edhe sot, po e jap qasjen: https://gazetadielli.com/leter-presidentit-biden/

         Që nga ajo letër, shteti hegjemonist shovinist serb, i mbështetur nga Rusia, po vazhdon sjelljen e tij destruktive, me urrejtje dhe armiqësi të hapur ndaj popullit shqiptar, si dhe destabilizimin e Kosovës, Bosnjës. Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut. Sunduesit e Serbisë, kriminelët e mundshëm Vuçiq, Daçiq dhe Vulin po ndjekin të njëjtat politika të mentorëve të tyre, kriminelëve të luftës Millosheviç, Karaxhiç dhe Mladiq. Ata po punojnë ngushtë me Rusinë dhe Kinën kundër interesave të SHBA-së dhe BE-së në Evropën Juglindore.

         Diplomatët perëndimorë  po përpiqen pa sukses të tërhjekin Serbinë nga aleanca me Rusinë dhe Kinën në kurriz të popullit shqiptar. Z. Josep Borrell dhe z. Miroslav Lajçak përgjegjës për dialogun, po veprojnë më shumë si agjentë serbë sesa ndërmjetës të paanshëm. Me pesë vende evropiane që nuk e njohin pavarësinë e Republikës së Kosovës, Be-ja nuk ka mundësi të sjellë asnjë zgjidhje. Përfaqësuesit dhe populli i Kosovës kanë arsyje shumë të forta për të mos i besuar BE-së. Historikisht, Evropa ka toleruar ose mundësuar tre gjenocide ( rreth viteve 1887, 1912 dhe 1945) të Serbisë kundër popullit shqiptar.

         SHBA-të janë shpresa e vetme për një zgjidhje afatgjate të konfliktit. Megjithatë, politika e administratës suaj në Ballkan, edhe pas emërimit të ambasadorëve të fuqishëm në Prishtinë dhe Beograd, si dhe të dërguarit special me përvojë për Ballkanin Perëndimor, Z. Gabriel Escobar, është ende shumë e paqartë dhe e paqëndrueshme.

         Nuk ka mbështetje të mjaftueshme nga SHBA-të për liderët e pakorruptuar, të aftë, me arsim të lartë, me shumë përvojë, properëndimorë të Kosovës, Presidenten Vjosa Osmani dhe Kryeministrin Albin Kurti. Pas më shumë  se një dekade keqmenaxhimi nga ish qeveritë e korruptuara dhe të shantazhuara të Kosovës, ata po mundohen shumë të zhvillojnë ekonominë, të luftojnë korrupsionin dhe të ndërtojnë demokracinë, si dhe të përballen me përpjekjet serbe për ta destabilizuar dhe shkatërruar shtetin e Kosovës.

         Ata po përpiqen të bëjnë çdo gjë siç duhet në koordinim të afërt me Perëndimin dhe nuk po vlerësohen. Nga ana tjetër serbët e udhëhequr nga Vuçiq po i bëjnë të gjitha të këqijat në të gjitha mënyrat dhe po konsiderohen normal nga përfaqësuesit ndërkombëtarë.

         Dialogu midis  Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Evropa për 13 vjet, ka dështuar plotësisht. Shumica e 30 marrëveshjeve të nënshkruara nuk zbatohen nga Serbia. Përfaqësuesit evropian po i bëjnë presion Kosovës për të respektuar vetëm një marrëveshje të dëmshme antikushtetuese për formimin e “asociacionit të pastër etnik serb”. Një shtet multietnik me entitete të pastra etnike nuk ka kurrëfarë kuptimi dhe është kundër vlerave dhe politikave amerikane dhe evropiane. Ende ka përkrahje të kërkesës mizore serbe për ndryshim kufijsh dhe ndarje të Kosovës. Praktikisht, Qeverisë së Kosovës po i bëhet presion që të pranojë shkatërrimin e shtetit të vet.

         Përfaqësuesit tanë amerikanë po e tolerojnë këtë politikë të padrejtë dhe të dështuar. Ju lutem zoti President, kërkoni nga ata që të mos i bëjnë presion liderëve të Kosovës për të krijuar asociacion të pastër etnikisht serb dhe për të pranuar çfarëdo ndryshimi të kufijve. Ata nuk mund ta pranojnë këtë gjë sepse kjo paraqet tradhëti ndaj interesave shtetërore dhe kombëtare. Prandaj edhe populli shumicë i Kosovës i votoi ata në mënyrë demokratike. Për më tepër, ky popull nuk do të heqë dorë kurrë nga liria e tij e fituar me gjak dhe sakrifica të shumta.

         Marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë e 4 Shtatorit 2020, e organizuar nga ambasadori amerikan jodiplomatik proserb, z. Richard Grenell, është gjithashtu dështim në mënyra të ndryshme. Kjo e ashtuquajtur “Marrëveshje për normalizim ekonomik” është plotësisht e parealizueshme përderisa agresori serb nuk ia njeh të drejtën viktimës (Kosovës) për të ekzistuar. Për më keq, barazimi në mes të së drejtës së Kosovës për të kërkuar njohje dhe përpjekjeve armiqësore të Serbisë për ti bllokuar ato, ishte i gabuar dhe ofendues. E vetmja gjë e mirë e takimit në Uashington ishte njohja e vonuar e pavarësisë së Kosovës nga Izraeli. Ndërkohë Kosova ka hapur ambasadën në Jerusalem, ndërsa Serbia nuk e ka as ndërmend ta zhvendosë ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem.

         Realiteti është se zoti Grenell orkestroi marrëveshjen për nevojat e fushatës zgjedhore të ish-Presidentit Trump për ta paraqitur ate si një “paqebërës” të madh.

Të gjithë serbo-amerikanët e mbështetën Trumpin. Pothuajse të gjithë shqiptaro-amerikanët (demokrat dhe republikanë) ju mbështetën juve. Ne fituam dhe ata humbën. Qëllimi i marrëveshjes së Uashingtonit ka përfunduar me zgjedhjen tuaj President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

         Vendimi i Departamentit të shtetit për shpalljen “non-grata” të disa bosëve serbë të krimit të organizuar në pjesën veriore të Kosovës është me vend dhe i rëndësishëm. Do të ndihmojë shumë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe zhvillimin e demokracisë në Ballkan. Është nevojë e ngutshme që edhe kriminelë tjerë dhe lider të korruptuar të Ballkanit të futen në këtë listë.

         Edhe pa njohjen e pavarësisë nga Serbia, Republika e Kosovës është në rrugë të drejt për t’u bërë një shtet i qëndrueshëm demokratik properëndimor. Pengesë kryesore e cila po vështirëson gjithçka është sjellja destruktive e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama. Pasi nuk arritën ta ndajnë dhe shkatërrojnë Kosovën, ata kan zbuluar një projekt tjetër për të izoluar dhe dominuar Kosovën, për të krijuar përbindëshin “Serbi e Madhe”, si dhe për të futur Shqipërinë dhe Serbinë në bllokun rus.

         Shumica e popullit shqiptar është kundër këtij projekti të errët. Ai ju kujton atyre politikën mashtruese të “kufijve të hapur” midis shteteve komuniste, të shpallur nga komunistët gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, e cila i kushtoi popullit shqiptar me më shumë se 50 mijë viktima të pafajshme. Ky ishte gjenocidi i tretë serb mbi popullin shqiptar.

         Vuçiq, Rama dhe shumë zyrtar tjerë që ju shërbejnë atyre, janë gjithashtu të përfshirë në korrupsion dhe të lidhur me elementë kriminal në të dyja shtetet, të Serbisë dhe Shqipërisë. Ata po e minojnë demokracinë dhe po punojnë drejtpëdrejt kundër interesave të BE-së dhe SHBA-ve në Ballkan. Ata duhet të ndalen me çdo kusht. Për fillim, ata janë kandidatë shumë të mirë për statusin “non-grata”.

         Deklarimi “persona non grata” nga SHBA-të i ish-liderit antikomunist pro-amerikan të Partisë Demokratike të Shqipërisë, z. Sali Berisha, i cili mbajti edhe dy postet e Presidentit dhe Kryeministrit të Shqipërisë, duket i panevojshëm dhe jopërfitues për interesat amerikane në Ballkan. Sigurisht që, ishte në të drejtën e Departamentit të Shtetit ta bënte këtë dhe ata nuk kan nevojë ta dokumentojnë vendimin e tyre.

         Por, edhe pas shtatë muajsh, nuk ka asnjë fakt të besueshëm të dëshmuar për ta vërtetuar korrupsionin dhe ndonjë sjellje të tij kriminale. Sipas standardeve tona amerikane, çdokush është i pafajshëm derisa të provohet fajësia e tij.  Ai ishte jashtë pushtetit për tetë vitet e fundit. Nuk është qëllim i imi të mbroj zotin Berisha. Përkundrazi, vetëm do të doja të theksoja rolin e tij të rëndësishëm në periudhën postkomuniste. Ai e orientoi Shqipërinë tërësisht drejt Perëndimit, duke e anëtarsuar në NATO dhe duke siguruar liberalizimin e vizave. Përkrahësit e tij të shumtë në mbarë Trojet shqiptare janë me shumicë antikomunistë dhe proamerikanë. Një pjesë e madhe e tyre ishin të persekutuar dhe të burgosur politikë të cilët humbën edhe anëtarë të familjeve nga kthetrat komuniste në Shqipëri.

         Shumica e anëtarëve të Partisë Socialiste të Shqipërisë, përfshirë kryeministrin Rama, kanë nostalgji për epokën komuniste me prirje më shumë pro ruse sesa pro amerikane. Alternativa e zotit Berisha brenda partisë Demokratike të Shqipërisë, z. Lulzim Basha është treguar lider shumë i dobët dhe i dështuar, pa karakteristika drejtuese. Me gjithë të mirat dhe të këqijat, zoti Berisha dhe mbështetësit e tij duket se janë basti ynë më i mirë në Shqipëri, në këtë kohë. Duhet shpresuar se e ardhmja do të sjellë liderë më të mire dhe të pakorruptuar në Shqipëri, si znj. Vjosa Osmani dhe z. Albin Kurti në Kosovë.

         Përfundimisht, është fakt i pamohueshëm se shqiptarët e duan dhe e respektojnë Amerikën më shumë se çdo komb tjetër në botë, ndërkohë që të gjithë e dinë se shumica e populllit serb e mban gjithmonë anën e Rusisë para Amerikës. Kjo gjë nuk do të ndryshojë kurrë.

         Për t’i mbrojtur interesat strategjike amerikane dhe për ta përfunduar me sukses investimin amerikan në Kosovë, ka ardhur koha që SHBA-të  të marrin pjesë drejtpërdrejt në dialog. Ka ardhur koha që vendi më proamerikan në botë Kosova, të anëtarsohet në NATO, të binden pesë vendet e mbetura të BE-së që ta njohin pavarësinë e Kosovës, të miratohet liberalizimi i vizave dhe të fillojë procesi i gjatë i hyrjes së Kosovës në Bashkimin Evropian.

         Vetëm Amerika, e udhëhequr nga ju zoti President, mund ta bëjë këtë.

         Kombi shqiptar është ndarë padrejtësisht dhe çnjerëzisht i detyruar të jeton në 6 shtete të ndryshme të Ballkanit. Krejt çka dëshiron populli shqiptar është që të mund të ekzistojë dhe të jetojë i lirë në shtëpitë e veta në trojet stërgjyshore, që t’i ketë të garantuara të drejtat e tij njerëzore dhe nacionale kudo, që të mund të komunikojë pa pengesa dhe të merr frymë lirshëm si një komb i të njëjtit gjak, gjuhë dhe prejardhje kombëtare.

Gëzuar Vitin e Ri 2022 zoti President!

Zoti ju bekoftë ju, familjen tuaj dhe kombin amerikan!

Zoti e bekoftë kombin shqiptar!