Letra pa frymëzim/Replay MOS HARRO SHQIPNI!

Muhamet Mavraj,
botues i gazetës “Epoka e Re”
 
(Për hatër të idealistëve nëpër gjenerata, një kartolinë veriore, por mos e shani Shqipërinë, ajo është shumë më e vogël se Shqipnia copash)
Po të vijnë si shpesh do prosnjakë
që jetën na e kanë nxi
dhe ua kemi nxi jo pak
Jam verior dhe po ta them fjalën e fundit të parën, shqyp:
jemi xhelozë
Dhe prapë jetën e djegim për ty
Prej asaj dite që na ndanë, kurrë
një sy gjumë, me qefin mbi plis
Një flamur për çdo lis
Jetën kam mujtë m’e humb
Të kam kërkuar nëpër gjurmët
e ushtareve të bukura
leckamane
Tebdil me t’dal n’atanë
Jetën kam mujtë m’e humb
Në çdo ndeshje, në çdo garë
Top për ty, plot E-HO, bum
në dysheme kundërshtarët, bum rrjetën armike, gol për ty
Ftyrën me ta rujtë
Tinza nëpër valë antenash
Valë në eter me u ba, një sy
matanë, veç pak me të pa
Jetën kam mujtë m’e humb
Mes rreshtave të lexonim,
Jo me të dashtë, burg më burg
Një dekadë, dy e tri dikush
Nëpër sheshe t’kem bâ zâ
t’i puthsha sytë Shqipni
Veç pak ti me na pa
Jetën kam mujtë m’e humb
Sall të rënët për ty
Nga çdo plis,
lis e fis, dhjetëra mijë
veç me të përmend si shahadet
Shpirtin m’e dhanë për ty
Kur ti murmurije
Deti na binte deri në gju
Vishnim rrobat më të bukura për ditën tënde
Jetën kam mujtë m’e humb
Një vesh në atë breg,
Atë zâ t’ëmbël, pak
Sado pak me ta ndi
Jetën kam mujtë m’e humb
Nëpër tymin e avionëve të rrallë
Doja tym të bâhem, me ardhë te ti,
me t’ra përmbi, jo me t’dashtë, veç me t’pa
Jetën kam mujtë m’e humb
Nëpër shkumën e barkave
Shkumë me ardhë te ti
me ta prek veç pak fustanin
Jo me të dashtë
Jetën kam mujtë m’e humb
Doja të bahem shtizë flamuri
Mbi anijen kur kthehej nga larg
Veç me të pa, me t’thanë gjallë
jemi, mbahu edhe pak
Me të zhbirilu befas nën tokë
Siç bëjnë matanë detbardhit
erën e dheut veç pak me ta ndi
Jetën kam mujtë m’e humb
Me të pas ngat, dorën tande
mbi kry
jo me t’dashtë qysh di me dashtë
Se frymën ta kisha zânë
Me të pa
me të prek
me të shiju
me të marr erë
Me të ndi
Jo me të dashtë
“Se të du edhe pa kjën aty”
Mos harro Shqipni
(Muhamet Mavraj, 20.12.2019)