Liberal-demokracia amerikane, në provim

Ruben Avxhiu

Një vendim ekzekutiv nga Presidenti Donald Trump për ndalimin e përkohshëm të hyrjes së qytetarëve nga shtatë vende të botës ka shkaktuar protesta të mëdha në SHBA dhe në botë.
Shtëpia e Bardhë ka arsyetuar masën e marrë si një veprim në mbrojtje të sigurisë amerikane, pasi këto shtete prodhojnë nivelet më të larta të terrorizmit në kohën tonë dhe sistemi ekzistues nuk bën verifikimin e duhur të njerëzve që hyjnë dhe dalin në SHBA nga këto vende.
Vendet në fjalë janë Irani, Iraku, Siria, Jemeni, Sudani, Libia dhe Somalia. Në gjashtë prej tyre ka zona luftimesh, ku ka radikalë islamistë të dhunshëm.
Reagimi ka qenë i jashtëzakonshëm, me protesta verbale dhe demonstrata, por edhe në sallat e gjyqit ku disa gjykatës të distrikteve federale kanë anulluar urdhërin e presidentit duke lejuar hyrjen e disa të pafatëve nga këto vende që i ka kapur urdhëri ekzekutiv në udhëtim e sipër dhe ishin arrestuar në aeroportet kryesore amerikane.
Shumica e protestueve e ka quajtur këtë si Ndalim të Myslimanëve dhe si rrjedhim antikushtetues. Kushtetuta amerikane nuk lejon diskriminimin në bazë fetare.
Protesta është bërë edhe më prekëse për shkak të shumë historive personale që kanë dalë në pah nga njerëz që e kanë pësuar nga ky ndalim i përkohshëm. Disa kanë qenë përkthyes hde shoqërues të ushtarëve amerikanë në frontin e luftës në Irak, që kanë parë vdekjen me sy dhe tani janë të kërcënuar me jetë e me familje për shkak të pro-merikanizmit të tyre. Të tjerë kanë qenë në udhëtim për të parë familjet e tyre në këto vende dhe tani kanë mbetur në mes të rrugës.
Kritikët e vendimit vënë në dukje se ndonëse arsyetimi i vendimit nga Trump fillon me një përkujtim për tragjedinë e 11 Shtatorit, asnjë nga vendet nga vinin 19 terroristët e atij sulmi janë në listën e ndaluar. 15 nga 19 sulmuesit ishin nga Arabia Saudite që mungon në listën e ndalimit. Në rastet e tjera të përmendura si sulmi në Orlando, ku terroristi ishte i lindur në Kuins, Nju Jork, njësoj si vetë Presidenti Trump, shpërthimet e maratonës në Boston, ku dy terroristët vinin nga Çeçenia, Rusia e ish-Bashkimi Sovetik, apo në San Bernardino ku terroristi ishte i lindur në Chicago ndërsa prindërit kishin ardhur nga Pakistani.
Mirëpo, mbështetës të administratës Trump kanë vënë në dukje se ky vendim nuk është një ndalim me bazë fetare. Shtatë vendet në listën e të ndaluarve kanë edhe të krishterë të cilët gjithashtu do ta kenë të pamundur që të hyjnë në SHBA. Për Trump liberalët po bëjnë të njëjtën gjë, duke u kujdesur përsëri vetëm për myslimanët e ndaluar, sepse parrulla për ndalim myslimanësh lë jashtë të krishterët e ndaluar.
Trampistët gjithashtu vënë në dukje se nuk ka ndonjë paragjykim fetar, por administrativ. Ata thonë se ka qenë administrata e Presidentit Barack Obama që i ka ndarë këto shtete si më kërcënueset për terrorizëm. Ata thonë se sapo të rishikohen dhe përmirësohen mënyrat e verifikimit hyrja nga këto shtete do të rifillojë.
Një problem jo i vogël është krijuar edhe më qytetarët nga këto vende që gëzojnë të drejtën e qendrimit të përhershëm në SHBA. Këta janë njeëz që kanë fituar të ashtuquajturën kartë të gjelbër (green card). Ata janë ndaluar gjithashtu të hyjnë në SHBA duke shkaktuar një tjetër debat të ashpër. Vendimi që godet të gjithë nënshtetasit e një vendi është përplasur me statusin e disa prej tyre për të qendruar përgjithmonë në SHBA. Jo më kot avokatë në të dyja anët e “barrikdës” ligjore kanë mprehur argumentet e tyre.
Betejat e para në sallat e gjyqeve janë fituar të gjitha nga kundërshtarët e Presidentit Trump. Paditë e ngritura nga ACLU, Bashkimi Amerikan për të Liritë Civile, kundër Presidentit janë pranuar nga gjykata. Shumë nga të ndaluarit në aeroporte janë liruar, pas orësh ndalimi. Ata janë pritur me gëzim jashtë nga qindra protestues që kishin bllokuar mbrëmë hyrjet dhe daljet e të gjitha aeroporteve kryesore amerikane. Në Nju Jork, me protestën ishin bashkuar edhe taksitë e qytetit që kishin deklaruar se nuk do të shërbenin për udhëtim nga aeroporti deri sa të lejohej hyrja në SHBA për të gjithë udhëtarët e mbërritur.
Fakti që gjykatat e vendit rrëzojnë një vendim të presidentit është një nga mënyrat sesi funksionon demokracia amerikane, ku njëri pushtet kontrollon dhe drejtpeshon tjetrin.
Një mënyrë tjetër është përplasja me pushtetin legjislativ. Një nga figurat kryesore të demokratëve në Senat, Charles Schumer ka thënë se po punohet për një ligj që do të bënte të pavlefshëm vendimin e Presidentit Trump. Debatet për mundësinë e një kundërpërgjigje të tillë gjithashtu kanë përzjerë ekspertë ligjorë e kushtetues, median dhe strategjistët politikë.
Një tjetër përplasje është ajo brenda vetë pushtetit ekzekutiv. Sipas raportimeve të ndryshme në media, departamenti për imigracionin ka paraqitur tekstin e vendimit ekzekutiv të kërkuar nga presidenti por në versionin e tij ka kërkuar që ata me green card të mos preken nga vendimi. Ky pjesë thuhet se është rrëzuar nga rrethi i ngushtë i presidentit dhe nën akuzë është (ashtu si në shumë raste më parë) këshilltari i tij i lartë Steve Bannon.
Debatet për këtë ngjarje nuk do të ndalen këtu. Ato kanë pasoja ndërkombëtare sepse vendimi ekzekutiv nuk ka bërë kujdes që të tregojë se çfarë ndodh me ata që kanë dy nënshtetësi. Për shembull franko-iranianë, italo-libianë etj. Edhe këta duket se nuk do të lejohen të hynë në SHBA.
Për një vend që ka si simbol Statujën e Lirisë dhe lavdërohet si atdhe i emigrantëve, SHBA mund të dëmtojë imazhin e saj ndërkombëtar. Kritikët e vendimit thonë se jo vetëm që nuk do të zvogëlohet rreziku i sulmeve me këtë masë, por rrezikohet ISIS, Al-Kaida e të tjerë ta përdorin si mjet radikalizimi dhe rekrutimi për terroristë të ardhshëm.
Dënimi i vendimit nga aleatët e afërt të SHBA, si Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Italia etj dëshmon për koston e imazhit publik që sjell me vete vendimi.
Administrata duket gjithashtu e paqartë dhe e pasigurtë me vendimin që ka marrë. Shefi i Kabinetit të Presidentit Trump tha në fillim të një interviste herët në mëngjez se ata me green card nuk do të preken, pastaj e kundërshtoi veten pak minuta më vonë. Ideja mund të jetë që ata me green card të lejohen në bazë të rasteve individuale.
Mirëpo, ky detaj është gjithashtu në zemër të problemit.
Nëse ka një gjë themelore që e dallon demokracinë liberale është që njerëzit nuk gjykohen në grup, por në mënyrë indivudale. Imagjinoni sikur të arratisurit nga Shqipëria komuniste të trajtoheshin si komunistë nga SHBA. Ndërsa mekanizmat e verifikimit kanë rëndësi. Janë përdorur edhe atëhere për të dedektuar të infiltruarit nga regjimet komuniste, ndalimet në bazë kombëtare nuk kanë kuptim. Janë kundër llogjikës, kundër thelbit të liberalizmit amerikan. Njerëzit duhen gjykuar për vlerat e tyre personale jo në bazë të fesë po të kombësisë.
Duke qenë se vetë Presidenti Trump e lidhi këtë masë me luftën ndaj ISIS-it, një luftë që mund të ketë fitim vetëm nëse bëhet në bashkëpunim me arabët e myslimanët që jetojnë në Irak, Siri, e përgjithësisht në rajon, si do të funksionojë ky koalicion, nëse Amerika i trajton të gjithë irakenët e sirianët me një vendim të vetëm, pavarësisht nga dallimet e jashtëzakonshme mes tyre. Nëse ai që jep jetën përkrah ushtarit amerikan refuzohet në kufi po ashtu si ai që jep jetën për të vrarë civilë e ushtarë amerikanë, atëhere me çfarë fytyre do të mund të propozohet bashkëpunimi.
Përkundrazi, ky vendim sido që ta gjykosh nga ana ligjore, është një përputhje me propagandën e ISIS-it, që ne myslimanëve na shohin të gjithëve njësoj, si një rrezik e një bezdi. Në zonat luftarake ku nuk mund të qendrosh në mes, kjo është një fitore e madhe propagandistike për ekstremistët.
Në SHBA nga ana tjetër, përveç vlerës praktike dhe asaj morale, përplasjet në frontin e ligjit do të jenë vendimtare për të parë fatin e demokracisë liberale që e ka bërë të famshme në botë. Ndryshe nga çfarë thonë ata që hapin panik, e militantët partiakë, SHBA nuk është kthyer në diktaturë e as nuk u përngjet shteteve iliberale të Lindjes meqë u zgjodh president Donald Trump. Por jo për herë të parë në historinë e saj, demokracia liberale amerikane është përpara një prove historike. Një provë e cila më shumë se nga ço gjë tjetër gjykohet nga mënyra sesi pushtetet e sanksionuara nga Kushtetuta do të arrijnë të kufizojnë dhe korrigjojnë njëri-tjetrin.