LIBRI NË MËRGIM, DEKORIMI, MARRËDHËNIE DHE MIRËNJOHJE…

Nga Visar Zhiti

Erdhi “Albanica”, nr. 13, revista e shqiptarëve të Rumanisë,që posta nga përtej oqeanit e sillte për në shtëpinë time, ndërsa në Tiranë ishin Deputeti i shqiptarëve të Rumanisë, Bogdan-Alin Stoica, që merrte në Presidencë dekoratën “Kalorës i Urdherit të Flamurit”, i shoqëruar nga Dr. Radu Săvulescu, President i Ligës së Shqiptarëve të Rumanisë, dhe Dr. Luan Topçiu, Drejtori i Kulturës dhe i revistës “Albanica”.

Veprimtaritë e shumta, botimet serioze, studime, histori, sociologji, përkthime, poezi, romane, konferenca, ekspozita, koncerte, takime me lexues, etj, vendosja nëpër Rumani e busteve të Skënderbeut, Naim Frashërit, Ismail Qemalit, Naum Veqilharxhit etj, vetë kjo revistë, “Albanica”,- art dhe kulturë, sintezë akademie, katedër albanologjie, kronikë, ambasadë e fjalës, bënë që Shqipëria të njihej me kete punë të madhe dhe nëpërmjet dekorimit të deputetit Bogdan-Alin Stoica të shprehte mirënjohjen e shqiptarëve ndaj Rumanisë ashtu si pak muaj më parë Presidenti i Rumanisë dekoroi me medaljen e artë, “Kalorës i Meritave të Larta kulturore”, Dr. Luan Topçiu.

Na bashkon kultura, marrëdhëniet mes dy popujve tanë, të hershme dhe të ripërtêrira tani, që si një ditar modern, i larmishëm dhe europian, i pasqyron dhe kjo revistë. E shfletojmë…