Liderët e BE-së diskutojnë për Ukrainën, ndërsa Rusia vazhdon ofensivën në Donbas

Bruksel / Kiev, 30maj 2022 –  Liderët e Bashkimit Evropian do të takohen të hënën për të rritur mbështetjen për Kievin, teksa forcat ruse vazhdojnë ofensivën e tyre në rajonin juglindor ukrainas, Donbas.

Samiti dyditor i BE-së, i cili nis më 30 maj dhe mbahet pasi ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, ka shprehur shqetësimet e tij se uniteti i bllokut “ka nisur të çahet”, pritet të ritheksojë përkushtimin e bllokut në përpjekjet për t’i ndihmuar Ukrainës dhe për të vazhduar ofrimin e armëve dhe financave për Kievin.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pritet t’i adresohet samitit përmes video-lidhjes, për të kërkuar nga blloku evropian një rund të ri sanksionesh ekonomike ndaj Rusisë, ashtu që të rritet presioni ndaj Moskës për t’i dhënë fund luftës së paprovokuar në Ukrainë.

Më 29 maj, ambasadorët e BE-së kanë dështuar që të arrijnë konsensus për një propozim të Komisionit Evropian për embargo ndaj naftës ruse.

Në një dokument me draft-konkluza nga samiti, të siguruar nga Radio Evropa e Lirë, përmendet një pako e gjashtë me sanksione kundër naftës ruse dhe produkteve të saj, mirëpo me përjashtim të naftës ruse që shkon në vendet e BE-së përmes tubacioneve.

Aty, po ashtu, kërkohet që kjo pako të miratohet pa vonesa dhe që të ketë solidaritet mes vendeve anëtare në rast të pengesave të befasishme në furnizime.

Ndikimi i luftës te shtetet fqinje

Gjatë samitit, liderët e BE-së pritet të diskutojnë edhe për ndikimin e luftës te shtetet fqinje dhe në Ballkanin Perëndimor.

Në dokument përmendet nevoja e ofrimit të mbështetjes së duhur për Republikën e Moldavisë, teksa përballet me krizë të energjisë dhe atë ekonomike, si dhe me presion të migrimit, i cili sa vjen e rritet si pasojë e luftës.

“Këshilli Evropian bën sërish thirrje që t’i jepet fund shtypjes në Bjellorusi dhe kërkon zbatimin e të drejtave demokratike për popullin bjellorus siç është mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe të lira”, thuhet në draft-konkluza.

Rusia vazhdon ofensivën në Donbas

Forcat ruse kanë vazhduar ofensivën e tyre në lindje të Ukrainës, duke iu afruar qyteteve kyçe dhe duke bombarduar Harkivin, pasi presidenti Zelensky ka vizituar këtë qytet më 29 maj, duke shënuar udhëtimin e tij të parë jashtë Kievit, prej nisjes së luftës më 24 shkurt.

Forcat ruse kanë rritur presionin në qytezat Severodonjeck dhe Lisiçansk në lindje të Ukrainës, pasi kanë pretenduar të kenë marrë kontrollin e qytetin të afërt, Liman.

Zyrtarët ukrainas, në anën tjetër, kanë thënë se mbrojtësit janë duke luftuar në kushte të rënda në këto zona strategjike.

Guvernatori i rajonit Luhansk, Serhiy Hayday, ka thënë se situata në Lisiçansk është bërë “shumë e rëndë” për shkak të numrit të të vdekurve dhe të plagosurve.

Npërmjet një fjalimi televiziv më 29 maj, Zelensky ka thënë se rreth “90 për qind e ndërtesave janë të shkatërruar në Severodonjeck”, duke shtuar që “më shumë se dy të tretat e shtëpive janë të shkatërruara plotësisht”.

“Marrja e Serverodonjeckut është gjë thelbësore për pushtuesit”, ka thënë ai për forcat ruse.

“Do të bëjmë gjithçka që mundemi për të pamundësuar avancimin e tyre”.

Komentet e tij pasuan vizitën në qytetin e Harkivit.

“Ju rrezikoni jetët tuaja për të gjithë ne dhe për shtetin tonë”, është cituar t’iu ketë thënë Zelensky luftëtarëve.

Agjencia e lajmeve Reuters ka raportuar se disa orë pas vizitës së Zelenskyt, në Harkiv janë dëgjuar disa shpërthime.

Shërbimi Shtetëror i Emergjencave në Ukrainë ka thënë se bombardimet ruse kanë nxitur zjarret rreth Harkivit, qytetit të dytë më të madh në Ukrainë.

Rusia ka vazhduar bombardimin e Harkivit, pasi luftëtarët ukrainas kanë zmbrapsur forcat ruse nga pozicionet që kanë pasur në këtë qytet disa javë më parë.

Forcat ruse janë fokusuar në rajonin Donbas, pas përballjes me rezistencën e ashpër të forcave ukrainase afër Kievit.

Në disa komente për televizionin francez, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë më 29 maj se “çlirimi” i rajonit të Donabsit është “prioritet” për Moskën.

Territoret tjera ukrainase duhet të vendosin vetë për të ardhmen e tyre, ka thënë ai.

(REL)