Liderët e BE-së nuk arrijnë marrëveshje për ndalimin e importeve të naftës ruse

Bruksel, 30 maj 2022 – Udhëheqësit e Bashkimit Evropian nuk arritën sot marrëveshje për një paketë të re të sanksioneve ndaj Rusisë, por thanë se diskutimet për këtë çështje nuk kanë përfunduar ende.

Në takimin që filloi sot (e hënë) në Bruksel, i cili do të vazhdojë edhe nesër (e martë), pritet që ata të bien dakord për një masë, por vendimet që konsiderohen të vështira janë lënë për më vonë, mbase për samitin e ardhshëm.

“Ende nuk jemi në atë pikë”, tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, citon Zëri i Amerikës.

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas tha se është më reale të pritet arritja e një marrëveshjeje muajin e ardhshëm.

“Nuk mendoj se do të arrijmë një marrëveshje sot. Do të përpiqemi të arrijmë marrëveshje deri në samitin e qershorit, Ky është skenari më realist deri tani”, tha zonja Kallas.

Samiti i radhës është parashikuar për 23 dhe 24 qershor.

Presidenti francez Emmanuel Macron u tha gazetarëve se marrëveshja e shumëkërkuar për paketën e gjashtë të sanksioneve po afrohet, por nuk dha hollësi të tjera.

Disa udhëheqës shprehën pakënaqësinë që nuk u arrit një konsensus.

“Po zhytemi në detaje dhe po harrojmë gjënë më të rëndësishme”, tha kryeministri letonez, Krisanis Karins.

“Janë thjesht para, ukrainasit po paguajnë me jetët e tyre”, tha ai.

“Ne mund dhe duhet t’i mbështesim ata, qoftë edhe për interesat tona, sepse vetëm pasi të mposhtet Rusia, mund të ndjehemi të sigurt në Evropë”, theksoi Karins.

Projektmarrëveshja e cila mund të rishqyrtohet parasheh paketën e gjashtë të sanksioneve të Bashkimit Evropian për ndalimin e importeve të naftës përmes detit. Por, Hungaria, Sllovakia, Republika Çeke dhe Bullgaria, të cilat varen shumë nga nafta ruse, thonë se nuk mund ta përballojnë një masë të tillë.

Hungaria siguron nga Rusia mbi 60 për qind të naftës dhe 85 për qind të gazit natyror. Kryeministri hungarez Viktor Orban vazhdon të kundërshtojë embargon e naftës ruse. Ai tha se vendit të tij i duhet garanci se mund të furnizohet me naftë përmes detit, në qoftë se dërgesat ruse të naftës përmes tubacionit “Druzhba” do të ndalen.

“Në këtë moment nuk ka asnjë kompromis. Ne jemi të gatshëm të mbështesim paketën, nëse ka një zgjidhje për furnizimin me energji të Hungarisë, të cilën nuk e kemi deri tani”, tha Orban.

Udhëheqësit nuk do të arrijnë një marrëveshje përfundimtare për këtë çështje tani, por, në vend të kësaj, do t’u kërkojnë doplomatëve dhe ministrave të tyre që gjejnë një zgjidhje që do të siguronte një konkurrencë të ndershme mes atyre që vazhdojnë të furnizohen me naftën ruse dhe atyre që e kanë ndërprerë atë.

Kryeministri belg Alexander De Croo tha se këto “nuk janë vendime të lehta”, por u shpreh optimist.

“Nuk ka asnjë dyshim se brenda ditëve dhe javëve në vijim, do të merren vendime”,  tha ai.

Në këtë samit pritet të merret vendim për një paketë kredish me vlerë 9 miliardë euro për Qeverinë e Ukrainës. Sidoqoftë, vendimi për mënyrën se si do të grumbullohen këto para pritet të merret më vonë.

Deri tani BE ka ndërmarrë pesë pako sanksionesh ndaj Rusisë, si kundërpërgjigje për agresionin e saj ndaj Ukrainës.

BE-ja ka sanksionuar edhe mbi 1 mijë zyrtarë të lartë shtetërorë, banka e kompani ruse, si edhe oligar t afërt të Kremlinit. Natyrisht, në krye të listës janë presidenti rus Vladimir Putin dhe bashkëpunëtorët  e  tij më të ngushtë. Pasuritë dhe fondet e tyre në Perëndim janë bllokuar dhe sekuestruar.

(r.m.)