Liderët e vendeve islamike diskutojnë për situatën në Gaza

Riad, 16 maj 2021 – Organizata për Bashkëpunim Islamik ka zhvilluar një takim urgjent për të diskutuar për situatën në Gaza, raporton Radio Evropa e Lirë.

Organizata që përbëhet nga 57 vende anëtare bëri thirrje që t’u jepet fund sulmeve ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës.

Ministri i Jashtëm saudit, Princi Faisal bin Farhan, i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare që të angazhohet për t’i dhënë fund operacioneve ushtarake të Izraelit kundër Gazës dhe të lejojë dërgimin e ndihmave.

Duke folur nga Ramallahu, në Bregun Perëndimor, ministri i Jashtëm i Autoritetit Palestinez, Riad Malki, e akuzoi Izraelin se po kryen “krime dhe brutalitet kundër popullit palestinez në Gaza”.

Malki u kërkoi vendeve muslimane që të mbështesnin popullin palestinez dhe të vendosnin sanksione politike dhe ekonomike kundër Izraelit.

Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu, e fajësoi Izraelin për dhunën e fundit.

“Vetëm Izraeli është përgjegjës për përshkallëzimin e fundit në Jerusalemin Lindor, në Bregun Perëndimor dhe në Gaza”, tha Cavusoglu.

Grupi militant islamik Hamas filloi sulmin me raketa në Izrael pas disa javësh tensionesh mes palestinezëve dhe izraelitëve në Jerusalem.

Sulmet pasuan kundërshtimet për një çështje gjyqësore për të dëbuar disa familje palestineze në Jerusalemin Lindor dhe në shenjë hakmarrjeje për përplasjet e policisë izraelite me palestinezët pranë xhamisë Al-Aksa të qytetit, vendi i tretë më i shenjtë i Islamit.

Izraeli nisi sulme ajrore dhe artilerike në Gaza, në shenjë hakmarrjeje.

Sipas palestinezëve, në Gaza janë vrarë 174 persona, përfshirë 49 fëmijë.

Izraeli ka raportuar për 10 të vdekur, përfshirë dy fëmijë.

(r.m.)

Comment

*