Lideri i Al-Kaidës vritet në një sulm amerikan me dron

Uashington, 2 gusht 2022 – Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se lideri i Al-Kaidës, Ayman al-Zawahiri, një nga terroristët më të kërkuar në botë, është vrarë gjatë fundjavës në Kabul, në një sulm me dron nga SHBA-ja.

“Tani drejtësia është vendosur dhe ky lider terrorist nuk është më”, tha Biden në një fjalim televiziv më 1 gusht.

Zawahiri, 71 vjeç, mbikëqyri sulmet terroriste në Shtetet e Bashkuara më 11 shtator 2001, së bashku me Osama bin Ladenin, themeluesin e Al-Kaidës.

Bin Laden dhe Al-Zawahiri u arratisën nga forcat amerikane në Afganistan në fund të vitit 2001 dhe vendndodhja e tij kishte qenë e panjohur prej kohësh.

Ai ishte ideologu kryesor pas rrjetit terrorist global të Al-Kaidës për disa dekada dhe kishte role qendrore në sulmet e Al-Kaidës ndaj ambasadave të SHBA-së në Kenia dhe Tanzani në vitin 1998, tre vjet para sulmeve të 11 shtatorit 2001, nga të cilat kanë mbetur të vdekur rreth 3.000 njerëz. Zawahiri u vu në krye të Al-Kaidës pas vrasjes së Osama bin Ladenit nga forcat amerikane në Pakistan në maj të vitit 2011.

Biden tha se zyrtarët e inteligjencës amerikane gjurmuan dhe e gjetën Zawahirin në një shtëpi në qendër të Kabulit, ku ai ishte fshehur me familjen e tij. Presidenti e miratoi operacionin javën e kaluar dhe ai u krye nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA), më 31 korrik.

Inteligjenca amerikane konfirmoi se njeriu i vrarë ishte Al-Zawahiri dhe se nuk pati viktima të tjera.

“Pavarësisht se sa kohë na merr, pavarësisht se ku fshiheni, nëse ju jeni kërcënim për popullin tonë, Shtetet e Bashkuara do t’ju gjejnë dhe do t’ju nxjerrin jashtë”, tha Bideni, duke shtuar se “ne nuk do të lëkundemi kurrë që të mbrojmë kombin dhe popullin tonë”.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Bideni e ka përmbushur premtimin e tij të vitit të kaluar se ai do të vazhdojë ta mbrojë Amerikën nga kërcënimet terroriste pavarësisht tërheqjes së SHBA-së nga Afganistani.

“Presidenti Biden vitin e kaluar iu zotua popullit amerikan se edhe pas tërheqjes së forcave amerikane, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbrojnë vendin tonë dhe të veprojnë kundër kërcënimeve terroriste që burojnë nga Afganistani”, tha Blinken në një deklaratë.

Vdekja e Al-Zawahirit ngre pikëpyetje nëse talibanët e strehuan atë pas marrjes së Kabulit në gusht të vitit 2021.

“Duke e pritur dhe strehuar liderin e Al-Kaidës në Kabul, talibanët shkelën rëndë Marrëveshjen e Dohas [që çoi në tërheqjen e SHBA-së nga Afganistani], e cila jepte garanci të përsëritura për botën se ata nuk do të lejonin që terrori afgan të përdorej nga terroristët për të kërcënuar sigurinë në vende të tjera”, tha Blinken.

Një zyrtar i lartë amerikan tha se talibanët ishin në dijeni që Zawahiri ishte në Kabul.

Zyrtarët amerikanë thanë se Shtetet e Bashkuara e kryen sulmin me dron në orën 6:18 të mëngjesit me orën lokale më 31 korrik. Një zyrtar i lartë i administratës e përshkroi atë si “një sulm ajror të saktë” duke përdorur dy raketa Hellfire.

Disa herë gjatë viteve të fundit ka pasur thashetheme për vdekjen e Zawahirit dhe prej kohësh u raportua se ai ishte në gjendje të keqe shëndetësore.

David Petraeus, ish-drejtor i CIA-s, tha se fakti që Zawahiri ishte në Kabul tregon se talibanët “nuk morën mësim”, pasi ata strehuan edhe Bin Ladenin, gjatë kohës që ata sundonin në Afganistan në fund të viteve 1990.

“Kjo pasqyron marrëdhënien e ngushtë të vazhdueshme që ende ekziston qartësisht midis Al-Kaidës dhe talibanëve”, tha Petraeus në CNN.

Zëdhënësi kryesor i Qeverisë së udhëhequr nga talibanët konfirmoi se një sulm me dron nga SHBA-ja u zhvillua në një rezidencë në Kabul më 31 korrik.

 

Sulmi me dron është sulmi i parë i njohur i SHBA-së brenda Afganistanit që kur trupat dhe diplomatët amerikanë u larguan nga vendi.

Ushtria amerikane i ka dhënë fund misionit të saj në Afganistan më 30 gusht të vitit 2021.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit.

(REL)

Comment

*