Lideri suprem i talibanëve kërkon të respektohen rregullat islamike

Kabul, 8 shtator 2021 – Udhëheqësi suprem i talibanëve në Afganistan, Mawlawi Haibatullah Akhundzada, porositi Qeverinë e re të Afganistanit që t’u përmbahet rregullave islamike dhe Ligjit islamik të Sheriatit.

Talibanët, që morën pushtetin në Kabul më 15 gusht, shpallën Qeverinë e re të Afganistanit të martën.

Akhundzada u emërua udhëheqës suprem i Afganistanit, apo, siç e shpallën talibanët, Emiratit Islamik të Afganistanit.

Në një deklaratë të lëshuar në gjuhën angleze, Akhundzada u bëri thirrje zyrtarëve talibanë që “t’i mbrojnë interesat më të larta të vendit dhe të sigurojnë paqe të qëndrueshme, prosperitet dhe zhvillim”.

Duke përmendur shkollimin, ai tha se Qeveria afgane “do ta ketë detyrë të sigurojë një mjedis të shëndetshëm dhe të sigurt për shkencat fetare dhe moderne për të gjithë bashkatdhetarët, brenda kornizave të Sheriatit”.

Ka shqetësime se shkollimi i vajzave do të pësojë nën regjimin taliban, ashtu si edhe liritë e tjera.

Gjatë sundimit të mëparshëm të talibanëve, më 1996-2001, gratë nuk kanë mundur të dalin jashtë pa një shoqërues mashkull dhe shkollimi i vajzave ka qenë i ndaluar.

Ditëve të fundit janë publikuar disa fotografi të universiteteve në Afganistan, që tregonin vajzat të ndara nga djemtë me perde, gjatë orëve të mësimit.

(REL)

Comment

*