Ligjvënësit amerikanë arrijnë një marrëveshje mbi ndihmën për Ukrainën

Uashington, 10 mars 2022 – Ligjvënësit amerikanë arritën një marrëveshje të martën për t’i dhënë Ukrainës 13.6 miliardë dollarë në ndihma ekonomike, humanitare dhe ushtarake. Përpjekja dypartiake për t’u përballur me sulmin e paprovokuar të Rusisë ndaj vendit të pavarur të Evropës Lindore pason mbështetjen e Kongresit për vendimin e presidentit Biden për të ndaluar importet ruse të naftës dhe gazit natyror.

Pas disa javë negociatash, ligjvënësit amerikanë arritën një marrëveshje për t’i dhënë Ukrainës miliarda dollarë në ndihma humanitare dhe ushtarake, shumë më tepër se kërkesa që kishte bërë Shtëpia e Bardhë. Kjo paketë financiare ka të ngjarë të jetë vetëm fillimi i ndihmës amerikane për Ukrainën.

“Unë mendoj se bota duhet të përgjigjet dhe t’i ndihmojë këta refugjatë, dhe ne po shqyrtojmë një paketë ndihmash ekonomike, humanitare dhe ushtarake prej miliarda dollarësh që mendoj se do të jetë vetëm fillimi. Kjo do të pasohet me ndihma të tjera”, tha ligjvënësi demokrat Adam Schiff.

Përpjekjet e Ukrainës morën një mbështetje të re të martën me njoftimin se Polonia është e gatshme të dërgojë në Ukrainë avionë luftarakë MiG-29, por ligjvënësit amerikanë janë të shqetësuar se vonesat burokratike po pengojnë dërgimin e ndihmave ushtarake.

“Ekziston një marrëveshje e fortë për të furnizuar Ukrainën me armët mbrojtëse që i nevojiten. Dhe ne e kemi bërë këtë. Këtë e kanë bërë edhe aleatët tanë. Ne kemi qenë mjaft të efektshëm në dërgimin e këtyre pajisjeve tek ukrainasit. Kështu që unë nuk e kam të qartë se pse po zgjat kaq shumë përpjekja për dërgimin e avionëve në Ukrainë. Presidenti Zelenskyy e ka bërë të qartë se ai ka nevojë për ta”, tha senatori demokrat Ben Cardin.

Një zyrtare e lartë e Departamentit të Shtetit u tha ligjvënësve se vendimi i preisdentit rus Vladimir Putinit për të sulmuar Ukrainën e ka vënë popullin e tij në shënjestër të sanksioneve të ashpra, duke zhdukur 30 vjet përparim brenda pak ditësh.

“Ndërsa Putini përpiqet ta kthejë Ukrainën në rrënoja, ai po e kthen Rusinë në burg. Kartat e kreditit dhe bankomatet nuk funksionojnë më, kontrollet e kapitalit po sjellin pasoja, ushqimet e importuara, teknologjia dhe mallrat e tjera po shterojnë. Dhe së fundmi liria e shtypit në Rusi po ndeshet me kufizime të forta, ndërkohë që qeveria po shfrytëzon paratë që i përkasin popullit rus për të financuar luftën dhe për të ndalur zhvlerësimin e rublës”, tha zyrtarja e lartë e Departamentit të Shtetit, Victoria Nuland.

Ndërsa vendimi për të ndaluar importet ruse të naftës dhe gazit natyror do të ketë ndikim edhe tek amerikanët, ligjvënësit amerikanë nga të dyja partitë e mirëpritën vendimin e presidentit Biden.

“Amerikanët janë të gatshëm të bëjnë sakrifica për të mbështetur rezistencën e guximshme të ukrainasve për të mbrojtur demokracinë, e cila ka një domethënie të madhe për amerikanët për shkak të historisë sonë. Por, janë gjithashtu të rëndësishëm hapat që mund të ndërmarrim për të ndalur rritjen e çmimit të karburantit”, tha senatori demokrat, Richard Blumenthal.

Por ligjvënësit amerikanë gjithashtu vazhdojnë të theksojnë se mbështetja amerikane nuk do të përfshijë angazhimin direkt ushtarak në terren.

“Unë mendoj se asnjë vend i NATO-s, përfshirë vendin tonë, nuk është i përgatitur të angazhohet në një përballje direkte me rusët për Ukrainën”, tha udhëheqësi i pakicës në Senat, Mitch McConnell.

(Zëri i Amerikës)